Rajoni

Kuvendi i Kosovës diskuton rritjen e çmimit të energjisë elektrike!

Deputetët në Kosovë nisën sot diskutimet për çmimin e energjisë elektrike, pas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me rritjen e tij. Opozita akuzon Qeverinë për keqmenaxhim të situatës, si edhe kundërshton propozimet për shtrenjtim.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala i kërkon Ekzekutivit, të mos procedohet me çmimet e propozuara nga ZRRE, se sipas tij, “pasojat do të jenë të shumta”.

Si grup parlamentar kërkojmë ta kthejmë këtë çështje në pikën zero!

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, deklaroi se “për situatën e krijuar me çështjen e energjisë elektrike, fajtore janë qeveritë e kaluara”.

Nuk është Lëvizja Vetëvendosje që solli këtë gjendje, janë veprimet apo mosveprimet e partive që ishin në pushtet, të cilat krijuan faturën me të cilën sot po përballemi të gjithë.

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energjinë në Kosovë sa i përket rritjes së tarifave i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E. Siç shpjegohet në Raportin Konsultativ të ZRRE-së, më së shumti do të preken ata të D-së dhe E-së, që respektivisht konsumojnë mbi 800 e 1000 kilovatë.

Për kategorinë D, që shpenzon 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet me 12 euro e 31 centë. Për qytetarët në kategorinë E, që shpenzojnë 1000 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet me 24 euro e 62 centë.

Që rritja e faturave të energjisë elektrike të mos jetë aq e lartë dhe të mos bëhet e papërballueshme, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 75 milion eurosh në formë subvencionimi. Këto subvencione vlejnë edhe për bizneset. ZRRE-ja doli me propozimin për rritje të faturave më 17 janar, pasi çmimet e energjisë elektrike janë ngritur edhe në tregjet europiane, duke ndikuar te të importeve të Kosovës.

Nëse Kuvendi miraton propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, rritja e çmimit të energjisë hyn në fuqi më 1 shkurt 2022, për t’u rishqyrtuar në muajin mars të vitit 2023.