Aktualitet Politikë

Kuvendi Kombëtar i PD, Basha mesazh të fortë Berishës!

Kuvendi Kombëtar demokrat i thirrur nga Basha e referendumi për të ratifikuar vendimin e Kuvendit të Berishës lidhur me shkarkimin e tij janë sot në fokus të zhvillimeve politike. Prej mesdite, në Pallatin e Kongreseve po zhvillohet Kuvendi që u çel nga Ina Zhupa, e cila njoftoi përbërjen e Komisionit të Drejtimit të punimeve të tij. Kryetar Jemin Gjana dhe anëtarë Gazment Bardhi, Grida Duma, Enkelejd Alibeaj e Flutura Açka.

Punimet mbahen nën moton: “Zgjedhim të ardhmen”. Aty pritet të votohen ndryshimet statutore, përfshirë një propozim për të mos patur në strukturat drejtuese të partisë, personat “non grata”.

Interes po ngjall fjala e Bashës, i cili që në fillim u shpreh qartë e prerë kur paralajmëroi përjashtimin e Berishës, sipas tij, “për të lënë jashtë radhëve të demokratëve ata që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ne do të lëmë jashtë radhëve, ata që kërcënojnë SHBA-të për interesat e tyre personale!

Pas shpalljes së tij “non grata” për korrupsion madhor dhe pengim të demokracisë, ne jemi përballur me një fushatë të pashembullt, të paprinciptë.  Jemi përballur me një fushatë në kufijtë e një lufte civile, me një arsenal mjetesh nga më të pistat, metodash nga më të ulëtat të një grupi të vogël, por zhurmëmadh, për ta detyruar PD-në të hyjë në një konflikt me SHBA, për ta detyruar PD të bëhet mburojë e problemit personal të Sali Berishës.   Më takonte mua të merrja mbi vete peshën e atij vendimi, të kthesha në rrufepritëse të akuzave që vërshuan dhe vërshojnë si lum, më takonte mua të lidhesha pas direkëve e të mbyllja veshët me dyll, që të mos dëgjoja këngën e sirenave, që sot janë një orkestër e madhe e mirëpaguar, e dirigjuar për të më denigruar mua dhe ekipin tim, që kishte vetëm një funksion, shmangien e të vërtetës.

Dhe e vërteta është shumë e thjeshtë: drama që ra mbi Berishën, duhej shuar duke krijuar një dramë mbi demokratët, duke i trazuar shpirtrat e tyre të lënduar nga padrejtësia e 25 prillit, në interes të një personi dhe të atyre që kurdisin mërinë e tij, duke e dëmtuar kështu Partinë Demokratike.

Por, unë nuk mund ta pranoja këtë, ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, por është pasuri e demokratëve, të cilët kërkojnë vetëm një gjë, fitoren.

Dhe fitorja nuk mund të vijë kurrë duke pasur një “non grata” në radhët tona, as duke e shndërruar të gjithë partinë në “non grata”, për hir të fatit personal të një personi, kushdo qoftë ai.

Ndërkaq, Basha vuri në dukje se “është koha e disa të vërtetave të mëdha që nuk janë thënë deri tani”.

Jemi mbledhur për të thënë të vërteta që kemi kohë pa i shqiptuar, por vetëm i kemi belbëzuar. Sot jemi mbledhur në emër të së vërtetës, sepse e vërteta është e vetmja rrugë për çlirimin e demokracisë!

Gjithashtu kërkoi falje që për 8 vite pranoi dualizmin me Berishën, por shtoi se “tani ka një kryetar” dhe vuri në dukje se ai është pengesa që Berisha ta kthejë PD-në në “bunker anti-amerikan”. Basha u deklarua i vendosur në shkatërrimin e Trekëndëshit të Bermudës, referencë për Ramën, Berishën, Metën.