Aktualitet

Kuvendi në seancë, banorët e 5 Majit në protestë kundër shembjes së banesave!

Më shumë se një javë nga shembja e banesave të tyre, banorët e zonës së “5 Majit” në Tiranë, protestuan sot te Kuvendi e pas 90 minutave, u zhvendosën para Bashkisë. Ndërsa kërkuan takim me deputetë, bënë të qartë se nuk do të firmosin asnjë marrëveshje pa një dëgjesë publike ku t’iu tregohet me saktësi se kur do t’iu jepen në dorë çelësat e shtëpive të reja. Në protestë iu bashkuan banorë të Laprakës, që preken nga projekti i Unazës së Re. Protestuesit u përfshinë në debate me policinë.

Polic: Po bllokoni rrugën!

Protestues: Po mbroj shtëpinë time, mos zbatoni urdhra të paligjshëm!

Polic: Jam në detyrë dhe nuk po zbatoj urdhrat e askujt!

Protestues: Pse dilni ju vëllezër dhe motra që po na bllokoni rrugë, po shkelni të drejtat themelore të njeriut? Mos bëni presion, e keni gabim, nuk kemi punë t’i kapim, thjesht duam t’iu tregojmë të drejtat tona. Kush do të ikë nga një vilë 3-katëshe e të hyjë në pallat 100-200 m2? Mos e mashtroni popullin, mos shikoni vetëm pronat tuaja!

Ndërsa në sallën e Kuvendit, kreu demokrat Basha akuzoi Qeverinë se ua prishi shtëpitë në kundërshtim me ligjin e solidaritet shprehu edhe Sali Berisha, pranë tyre shkuan deputetë të Komisionit të Rithemelimit: Flamur Noka, Albana Vokshi, Belind Këlliçi. Noka deklaroi:

Ata kërkojnë të trajtohen vetëm sipas ligjeve në fuqi, të paktën gjysmën e trajtimit që iu bëri Rama afganëve të Sorosit. Kaq kërkojnë qytetarët nga Rama! Ajo që është më e rëndë në këtë panoramë që ne po shohim dhe që banorët e 5 Majit e të Laprakës po ju bëjnë me dije është fakti se në të gjithë këto projekte, tashmë po del hapur se ka një bashkëpunim mes Ramës dhe Erion Veliajt e Lul Bravës. Ka pasur akuza që prapa kësaj tradhtie ishte Basha dhe tashmë me masakrën te “5 Maji” e në Laprakë është evidente.