Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë maratonë, në rend dite prezantimi i programit qeverisës!

Në një seancë maratonë që nis në orën 10:00, në Kuvendin e Shqipërisë do të prezantohet programi qeverisës dhe përbërja e kabinetit të ri qeveritar. Ndërkaq, maxhoranca publikoi programin për 4 vitet e ardhshme.

Pesë janë shtyllat kryesore:

Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia; Mirëqenie për të gjithë, Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë,  bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve; Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen dhe Shqipëri e fortë, me shtet të fortë.

Në seancë plenare, çdo deputet do të ketë mundësi të flasë nga 10 minuta, ndërsa është mësuar se Partia Demokratike do ta përqëndrojë diskutimin kryesor te pandemia COVID-19, tërmeti e kriminaliteti në vend, çështje për të cilat pretendon se socialistët kanë dështuar. Nuk pritet të ketë bojkot të seancës nga demokratët, ndërsa duket se kanë vendosur të mos bëjnë pyetje lidhur me përbërjen e qeverisë së re. Ndërkaq Sali Berisha i përjashtuar nga grupi demokrat, ka paralajmëruar se nga sot do të zbresë në terren duke nisur takimet me anëtarët e PD-së në Tiranë. Ai synon të mbledhë firmat për të kërkuar referendum në lidhje me vendimin individual të Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi, e më pas do të shkojë në Shkodër. Vetë Sali Berisha e konsideron “nul” vendimin e kryetarit.

Në seancë plenare pritet me interes të shihet numri votave që do të marrë qeveria e re e nëse do të ketë përsëri rrjedhje vote nga opozita, siç ndodhi gjatë votimit të Lindita Nikollës në krye të Kuvendit të Shqipërisë.

Kabineti “Rama 3” dominohet nga ministret femra, plot 12, disa prej të cilave për herë të parë me portofole ministrore. Pjesë e qeverisë së re do të jenë 9 ministra që kanë shërbyer edhe gjatë mandatit të dytë qeverisës të socialistëve, mes tyre Bledi Çuçi, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Olta Xhaçka, Elva Margariti, Niko Peleshi, Evis Kushi, Elisa Spiropali e Milva Ekonomi.