Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë plenare, në fokus interpelanca me kryeministrin Rama për çështjen McGonigal!

Kuvendi mblidhet sot për seancën plenare të radhës që pritet të nisë me interpelancën urgjente me kryeministrin Edi Rama kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike. Pak ditë më parë, kërkesën e bëri grupi Alibeaj në lidhje me çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, i akuzuar në Amerikë për fshehje të të ardhurave, deklarime të rreme e falsifikim dokumentesh apo të dhënash. Ndërkohë, kreu demokrat Berisha u përjashtua për 10 ditë nga punimet e Kuvendit pas tensioneve në seancën e kaluar, por ka lënë të kuptohet se nuk do të mungojë.

Po ashtu, në seancën e sotme Kuvendi  do të shqyrtojë disa projektligje si ai i “Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror” apo “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Po ashtu, pritet shqyrtimi i projektligjeve:  “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Polonisë, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, njëra palë, dhe Bashkimit Evropian, pala tjetër, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në mekanizmin e mbrojtjes civile të bashkimit”, “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror”, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.59/2014. “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Në agjendë është edhe projektligji “Për informacionin e klasifikuar”.

Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe projektligjet:  “Për disa ndryshime në ligjin nr.9867, datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.114, datë 22.10.2015, “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së veriut, për rikthimin e ikonave të trafikuara në vendin e tyre të origjinës”, “Për disa ndryshime në ligjin nr.8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikëssë Shqipërisë”.