Politikë

Kuvendi në seancë plenare, rivotohet Kodi i ri Zgjedhor

Krahas dekretit të presidentit Meta që ktheu në Kuvend ndryshimet e Kodit Zgjedhor për listat e koalicionet, sot në seancë plenare ka një sërë çështjesh në rend dite. Gjatë punimeve pritet dhe një interpelancë me Ministrin e Shtetit per Rindërtimin, Arben Ahmetaj të kërkuar nga deputeti Halit Valteri.

Kuvendi pritet të shqyrtojë Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Policinë e Shtetit” të ndryshuar”, si edhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Kodi Penal i Republikës së Shqipëisë”, i ndryshuar”.

Gjithashtu, Kuvendi do të shqyrtojë Aktin Normativ “Për faljen e gjobave të vendosura gjatë karantinës nga COVID-19”. Nga falja përfitojnë dhe familjet e dëmtuara nga tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit që bënë punime në banesat e dëmtuara. Amnistia përfshin periudhën nga 17 prilli deri më 7 tetor e paratë duhen kthyer deri më 15 Nëntor.

Mes pikave të rendit të ditës është dhe miratimi i marrëveshjes së qeverisë me Aleancën GA VI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të aksesit në vaksinat COVID-19, Covax Facility.