Aktualitet

Kuvendi rrëzon kërkesën e demokratit Tritan Shehu për Srebrenicën!

Kuvendi rrëzoi rezolutën e deputetit demokrat, Tritan Shehu për dënimin e genocidit serb për Masakrën e Srebrenicës, më e rënda në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Seanca e sotme nisi me fjalën e ish-kryeministrit Berisha, i cili u shpreh se “njohja e genocidit në Srebrenicë përbën akt të domosdoshëm për kombet e shoqëritë e civilizuara, si dhe është kusht themelor që të mos përsëritet”. Berisha hodhi akuza edhe ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç duke iu referuar si “Putini i vogël”. Ndërkohë, lidhur me rezultatin e votimit, u shpreh:

Votuat sipas urdhrit të Aleksandër Vuçiçit. Shqipëria nuk ka patur kurrë më anti-shqiptar se Edi Rama. Votuat duke shkelmuar mbi jetët e 10 mijë shqiptarëve në Kosovë.

Me Berishën replikoi Taulant Balla. Kryetari i grupit parlamentar socialist kërkoi të nisin hetimet për thyerjen e embargos së Kombeve të Bashkuara.

Ne mund të biem dakord për një rezolutë, por kurrë një rezolutë që të vijë me firmën tënde. Ti nuk merr asnjëherë asnjë mbështetje, kurrë! Libri që quhet “Rregullat e heshtjes”, thotë: “Kemi pasur marrëveshje të heshtur me Berishën për të shtrirë tubat në liqen të Shkodrës, për të vënë tubat në Bunë dhe në formë pluskuese e për të çuar naftën në Mal të Zi”. Tani, ndjen ndonjë përgjegjësi që ke thyer embargon e Kombeve të Bashkuara me marrëveshje? E thotë homologu yt i Malit të Zi. Eshtë e shkruar në raport, nuk është çudi që u shpalle “non grata”.

Ti ke përgjegjësi direkte se ke furnizuar makinerinë e luftës me naftë. Ky është fundi i botës dhe për disa këtu, që kanë vënë firmën pa e ditur çfarë kanë firmosur. Ti nuk duhet të jesh në këtë sallë. Ti je kot fare dhe duhet të mbash përgjegjësi për këtë. Kjo është vepër penale që nuk parashkruhet. Kjo është një çështje që drejtësia duhet ta rihapë. Thyerja e embargos së Kombeve të Bashkuara duhet të hapet. Sa i përket luftës së Kosovës, mbetesh tradhtari më i madh.

Ndër të tjera, sot në seancë plenare do të diskutohen raportet vjetore mbi veprimtarinë e Agjencisë të Sigurimit të Depozitave e të Autoritetit të Konkurrencës për 2021-shin. Në të njëjtën seancë, në rend dite janë disa projektligje dhe projektvendime për pagat e punonjësve, në institucionet e reja të drejtësisë.