Aktualitet

Kuvendi rrëzon me 76 vota pro, amendamentin e Metës për buxhetin! Miratohet ligji “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”!

Kuvendi ka rrëzuar sot me 76 vota amendamentin e Presidentit Ilir Meta i cili ktheu mbrapsht në Kuvend për rishqyrtim buxhetin për vitin 2022. Deputetët socialistë votuan sot pro ligjit të buxhetit të vitit 2022, ligjin e TVSH-së dhe ligjin për taksat kombëtare, të kthyera nga Presidenti Meta pa ndryshimet e kërkuara prej tij.

Po ashtu sot në Kuvend u miratua edhe ligji për “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shteti do të marrë në mbrojtje dhe do të financojë deri në moshën 25-vjeçare, të gjithë fëmijët, prindërit e të cilëve kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Në seancën e sotme në Kuvend u rrëzua me 76 vota edhe dekreti i Metës i cili ktheu mbrapsht për rishqyrtim në Kuvend ligjin për ‘Bashkëqeverisjen.

Statusi i Kryeministrit Edi Rama:

“Kuvendi miraton Ligjin “FËMIJËT NËN PËRKUJDESJEN E REPUBLIKËS”, për jetimët e të gjithë të rënëve në krye të detyrës apo qytetarëve që humbën jetën në mbrojtje të jetës së të tjerëve apo pronës publike, në kushte situatash fatkeqësie natyrore, si edhe të mjekëve e infermierëve që ndërruan jetë në frontin e luftës kundër virusit Covid-19

Themelet e Ligjit për Fëmijët nën përkujdesjen e Republikës:

Pagë e plotë mujore e prindit deri në moshë madhore ose deri në moshën 25 vjeç për fëmijën e vetëm kur ai/ajo ndjek studimet e larta – 140% e pagës kur prindi ka lënë pas dy fëmijë – 150% e pagës kur fëmijët jetimë janë tre – 160% e pagës së prindit kur në familje janë katër fēmijë që kanë humbur prindin e me radhë;

Mbështetje me prioritet për arsimimin dhe punësimin e çdo fëmije nën përkujdesjen e Republikës;

Kujdes shëndetësor i mbuluar financiarisht nga shteti edhe kur fëmija nën përkujdesjen e Republikës, kurohet në struktura jopublike, brenda ose jashtë vendit”, shkruan Rama.