Bota

Ky vend po ofron trajtimin e parë në botë për bebet që kanë alergji ndaj kikirikëve!

Australia po ofron trajtimin e parë në botë për bebet që kanë alergji ndaj kikirikëve për të ndihmuar në forcimin e imunitetit të tyre ndaj kësaj patologjie. Bebet do të mbikëqyren nga mjekë pediatër të përzgjedhur që do t’u japin çdo ditë doza në rritje të pluhurit të kikirikut për të paktën dy vjet në mënyrë që të zvogëlohet ndjeshmëria ndaj tij.

Imunoterapia orale është ofruar në teste klinike dhe disa qendra speciale për alergjinë në botë, por kjo është hera e parë që përvetësohet si model për sistemin shëndetësor. Në Australi 1 në 10 foshnja diagnostikohen me intolerancë ndaj ushqimit. Alergjia ndaj kikirikëve prek 3% të australianëve që në moshën 1-vjeçare dhe ndryshe nga shumë alergji ushqimore, pak fëmijë arrijnë ta kalojnë duke e bërë kështu më të përhapurën te të vegjlit. Programi falas ofrohet vetëm për fëmijët nën 12 muajsh që janë diagnostikuar me alergji ndaj kikirikëve dhe marrin trajtim në një nga dhjetë spitalet pjesëmarrëse të vendit.

Doza do të përllogaritet me kujdes për secilin derisa të arrijnë te “doza e mirëmbajtjes” të cilën do ta marrin për dy vjet. Disa fëmijë mund të përjetojnë efekte anësore dhe reaksion alergjik, por për pjesën më të madhe të tyre janë të lehta dhe nuk kanë nevojë për trajtim. Qëllimi është të rritet pragu i tolerancës dhe të ulet risku e ankthi i ekspozimit ndaj kikirikëve. Në fund të trajtimit rezultatet do të maten nga një test alergjie ushqimore.