Botë e Çuditshme

La qenin të drejtonte makinën, pranga të zotit!

Lejoi qenin e tij të drejtonte makinën në rrugë, por përfundoi i arrestuar. Çudia më e fundit vjen nga Izraeli dhe në pranga ra një 35-vjeçar, i cili bëri provën e ndaluar, duke rrezikuar të shkaktonte një aksident automobilistik. Madje, sikur të mos mjaftonte kjo, u sigurua që gjithçka ta publikonte në rrjetet sociale për ta ndarë me të tjerë veprimin e papërgjegjshëm, duke i dhënë provat e munguara policisë, që nuk vonoi ta ndalonte.

Qenin e mbante në prehër me putrat e mbështetura te timoni i automjetit, për ta lëvizur në rrugët e fshatit Ein Naqquba, rreth 10 kilometra larg Jeruzalemit në Izrael.

Për ngjarjen e ndodhur më 5 shtator e arrestimin disa ditë më vonë të autorit, në njoftimin zyrtar të policisë izraelite theksohet:

Kush kryen të tilla veprime, rrezikon jetën e vet dhe atë të të tjerëve. Do të vazhdojmë t’i ndëshkojmë këto veprime abuzive duke ndjekur penalisht çdo person që bëhet protagonist i këtyre akteve të rrezikshme e që kërcënojnë përdoruesit e rrugës.