Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet

Laborator për prodhimin e kriptomonedhave në Krujë, pronari në kërkim!

Në Krujë, u zbulua dhe u sekuestrua një laborator që shërbente për prodhimin e kriptomonedhave. Kjo u bë e mundur, në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale.

Njoftimi i Policisë:

Policia procedoi penalisht pronarin e ambientit, që ia kishte lëshuar me qira një personi tjetër. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që kishte ndërtuar laboratorin, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Kriptomonedha”, në katin e parë të një objekti në pronësi të shtetasit S. D., i cili ia kishte lëshuar këtë ambient me qira një personi tjetër, shërbimet e Policisë konstatuan një laborator që shërbente për prodhimin e kriptomonedhave.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 pajisje elektronike për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, në këtë banesë u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Shtetasi S. D. është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës.

Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin e personit që ka marrë me qira këtë ambient, si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.