Sport

Laçi fluturon drejt kreut, Dinamo sërish ndalet në barazim!

Sot u luajtën dy ndeshje në kuadër të javës së 15-të të Abissnet Superiore.

Laçi-Kastrioti 2-0

Laçi fluturon drejt kreut të renditjes, pasi ka regjistruar fitoren e pestë radhazi dhe është ngjitur përkohësisht në vendin e dytë me 27 pikë, vetëm tre më pak se Tirana kryesuese.

Bardhezinjtë e Mirel Josës po kalojnë një formë të shkëlqyer dhe “viktima” e radhës e tyre ishte Kastrioti, që pavarësisht përpjekjeve, nuk ia doli të shmangë humbje, në një sfidë ku vendimtar ishte padyshim numri 10 i kurbinasve, Regu Lushkja.

Fantazisti i Laçit zhbllokoi sfidën në minutën e 9’ dhe vulosi fitoren në të 84-ën, duke konfirmuar momentin mjaft të mirë që po kalon, ndërsa Kastrioti do të duhet të riniset nga një pjesë e dytë e mirë, pasi mbetet në vendin e fundit, me vetëm 8 pikë në 15 javë.

Dinamo-Skënderbeu 0-0

Dinamo dhe Skënderbeu e mbyllin vitin me një barazim pa gola, i dyti radhazi me të njëjtin rezultat për kryeqytetasit, që pozicionohen në vendin e tetë me 15 pikë, po aq sa kanë edhe korçarët, që gjithsesi renditen të shtatët për shkak të golavarazhit më të mirë.

Në “Elbasan Arena” të dy skuadrat ishin më të interesuara të mos pësonin dhe prisnin të përfitonin nga gabimet e kundërshtarit, teksa në pjesën e parë ishte Skënderbeu më i qartë, duke gjetur madje edhe golin, që u anulua nga VAR-i për një faull në sulm.

Pjesa e dytë foli më shumë për Dinamon, që krijoi disa mundësi dhe shënoi një gol spektakolar me Siljanovskin, por edhe këtë herë protagonist u bë VAR-i, që e anuloi për një pozicion jashtë loje në nisje të aksionit.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi barazimin pa gola, me dy skuadrat që ndajnë nga një pikë dhe mbetet në të njëjtën kuotë pikësh e në të njëjtin pozicion të renditjes.