Sport

Laçi shtyn festën e bardhebluve, Partizani rrëmben vendin e tretë!

Laçi-Tirana  1-0 

Nuk ka festë titulli për Tiranën në Laç me bardheblutë që dolën të mposhtur nga vendasit me rezultatin 0-1, falë një goli të Guindos në pjesën e parë. Kurbinasit shkurtuan distancën me kryeqytetasit në 12 pikë, ndërsa këta të fundit tashmë duhet të presin ndeshjen e mesjavës ndaj Teutës për provuar shijen e titullit numër 26 në histori.

Sa i përket pjesës së parë, Tirana dha shkëndijen e parë me Seferin që krijoi hapësirën e duhur për Devid dhe Gjumsin, por asnjë prej tyre nuk ia doli të devijonte sferën në portën e Dajsinanit. Në vazhdim ishin sërish bardheblutë me mundësinë e shkëlqyer që iu shfaq Limajt, por mesfushori gaboi krejtësisht pas pasimit të Totre. Gjithsesi, Laçi nuk u impresionua nga starti i kryeqytetasve dhe sinjali ishte pas një harkimi të Zikos me topin që pas devijimit të Seferit u përplas në traversë.

Goli ishte në ajër për kurbinasit dhe erdhi në minutën e 13-të kur Guindo realizoi një perlë pasi gjeti trekëndëshin e Visar Bekajt, i cili me gjithë hapjen e tij nuk mundi ta shmangte golin. 9 minuta më pas ishin sërish vendasit pranë golit, teksa Guindo e më pas Malota për pak sa nuk ndëshkuan bardheblutë. Në të 25-tën, Tirana rikthehet të shohë nga porta e Laçit dhe e bën me Hoxhallarin. Kapiteni ekzekuton një goditje dënimi, por topi devijohet në këndore.

Në fund të pjesës së parë, sërish Tirana ka një shans të artë, këtë herë me Gjumsin i cili nuk ia del të shmangë Dajsinanin ndërsa në vazhdimin e aksionit Limaj gabon shënjestër. Në fraksionin e dytë, bardheblutë ishin më të orientuar drejt sulmit për të gjetur golin e barazimit dhe patën mundësi me Seferin dhe Gjumsin.

Për t’u përmendur rasti i këtij të fundit që tentoi me roveshatë, por u ndal nga Dajsinani. Në minutat e fundit, Tirana rrezikoi të pësonte edhe të dytin, megjithatë Bekaj ndali sulmet e Guindos. Në këtë formë, kryeqytetasit duhet të presin ndeshjen e radhës për të festuar titullin të cilin mund ta fitojnë me një trepikësh apo edhe me një tjetër rezultat, mjafton të jetë i njëjtë me atë që regjistron Laçi.

Partizani-Dinamo   3-1

Fitorja ndaj Dinamos i ka siguruar Partizanit vendin e tretë në renditjen e Abissnet Superiore, ndërsa “blutë” vijojnë të vuajnë dhe t’i afrohen Kategorisë së Parë gjithmonë e më shumë. Derbi i kryeqytetit, i vlefshëm për raundin e 31-të të kampionatit, u mbyll me rezultatin 3-1, me tre gola që u realizuan në pjesën e parë.

Fraksioni i parë u dominua nga “të kuqtë”, të cilët do të zhbllokonin takimin në minutën e 26’, me Stenio Junior që shënoi për Partizanin, ndërsa vetëm tre minuta më pas Tedi Cara do t’i dhuronte golin e dytë ekipit të tij.

Më pas një prekje e topit me dorë nga Massanga Matondo, lojtari i Partizanit mori kartonin e dytë të verdhë, duke dalë nga fusha e lojës dhe duke e lënë ekipin e tij me 10 lojtarë në fushën e lojës. Për këtë episod Dinamo fitoi një penallti, e cila u ekzekutua nga kapiteni i “bluve” në minutën e 38’.

Teksa në pjesën e dytë Dinamo do të ishte më kërkues dhe do të vendoste në disa raste në vështirësi “të kuqtë”, megjithatë Partizani ia doli që të godiste sërish portën e Simonit. Në minutën e 90+1 Tedi Cara u nis në kundërsulm dhe shënoi një super gol, me topin që e goditi nga distanca.

Pas këtij takimi Partizani kalon në vend të tretë me 46 pikë, po aq sa Kukësi, por me “verilindorët” që kanë një ndeshje më pak, e cila do të luhet sonte në orën 19:45, ku përballë do të kenë Teutën. Teksa Dinamo vijon të vuajë, duke qëndruar në vend të nëntë me 23 pikë dhe njëkohësisht çdo javë e më shumë afrohet me rrëzimin nga elita e futbollit shqiptar.