Aktualitet

Lagështira nga moti me shi, 5 aksidente me 10 të plagosur në vend!

Në rrugët e vendit nga veriu në jug, moti i keq me reshje shiu u bë shkak për pesë aksidente me dhjetë të plagosur, një në gjendje më të rëndë. Si pasojë e lagështirës, një shtetas nga Kosova u lëndua në autostradën Kukës-Morinë.

Duke drejtuar automjetin tip bot me çimento rifuxho, 44-vjeçari humbi kontrollin e për pasojë makina iu përmbys. Ai u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Në fshatin Shelq të Shkodrës, në një aksident të shumëfishtë u plagosën tre persona, siç mësohet, një në gjendje të rëndë. Në Elbasan, një makinë përplasi drejtuesin e një motori, i cili mori dëmtime. Ndërsa shoferi u largua nga vendi i ngjarjes, i lënduari mori ndihmën e parë mjekësore.

Ndërkohë, në vendin e quajtur Qafa e Lalarit në aksin Fier-Mallakastër u përplasën dy makina dhe u plagosën drejtuesit e një pasagjer. Që të tre u dërguan në spital.

Në vendin e quajtur Qafa e Lalarit, në aksin Fier-Mallakastër, drejtuesi i mjetit E.R, 45 vjeç, banues në Kuçovë, është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtues K. K., 37 vjeç, banues në Patos.

Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve dhe pasagjeri, shtetasi L. S., 65 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin mund të ketë qenë lagështia në rrugë për shkak edhe të reshjeve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Më në jug të vendit, një aksident u regjistrua sot në aksin Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Luzat” ku u përplasën dy makina “Dacia” e “Seat”. Të plagosur mbetën drejtuesi i automjetit “Dacia” dhe pasagjeri i “Seat”-it. Të lënduarit u transportuan në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për të marrë ndihmë mjekësore.

Në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Luzat”, automjeti tip “Dacia”, që drejtohej nga shtetasi K. Ç., u përplas me automjetin tip “Seat”, me drejtues shtetasin H. S.

Për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Dacia”, shtetasi K. Ç. dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin tip “Seat”, shtetasi Xh. G. 19 vjeç, banues në Tepelenë, të cilët u transportuan në spitalin Rajonal Gjirokastër, për të marrë ndihmën mjekësore.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.