Rajoni

Lajçak nis vizitën në Kosovë, takim me Kryeministri Kurti!

Pas ndërmjetësimit të marrëveshjes për energjinë elektrike, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndron në Kosovë.

Vizitën e tij e filloi me takim të mbyllur me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku më pas u tha se është diskutuar për dialogun dhe udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë. Nga Zyra e Kryeministrit thonë se para Lajçak, i pari i ekzekutivit shprehi gatishmërinë për të zbatuar këtë udhërrëfyes.

Ndërkaq, Lajçak ditë më parë deklaroi se ndaj Ballkanit Perëndimor po bëheshin padrejtësi, kështu që pritej të diskutohej edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, një gjë e tillë nuk u konfirmua nga asnjëra palë.

Megjithatë, zhgënjimi nga Bashkimi Evropian është i dukshëm në Kosovë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se nuk pret asgjë nga vizita e emisarit të BE-së dhe kërkon diskutim me Qeverinë për çështjen e vizave.

E të njëjtën gjë e kërkojnë përmes një aksioni edhe nga Partia Social Demokrate, duke shtuar se dialogu me Miroslav Lajçakun si ndërmjetësues nuk çon në marrëveshje të drejtë.

Emisari i BE-së për Ballkanin Perëndimor do të qëndrojë në Kosovë për tre ditë, ku do të takohet edhe me liderët e partive opozitare dhe përfaqësuesit ndërkombëtar, si dhe do të vizitojë Prizrenin e Veriun e vendit.