Auto & Moto Sport

Lajm i mirë për fansat e MotoGP, rikthehet në pistë 6 herë kampioni i botës!

Marc Marquez është gati të rikthehet në pistë. 6 herë kampioni i botës në MotoGP, pësoi një dëmtim në krahun e djathtë në garën e parë të sezonit të kaluar, duke humbur kështu të gjithë sezonin.

Pas tre operacioneve, piloti i Hondas, ka marrë ditën e djeshme lajmin e mirë të rikthimit në pistë.
Rikuperimi ka shkuar mirë, teksa kjo është konfirmuar në kontrollin e fundit me mjekët, të cilët i kanë dhënë dritën jeshile për t’u rikthyer për garën e 18 prillit në Portimao.

28-vjeçari ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, aty ku shfaqet më i lumtur se kurrë.

“Jam shumë i lumtur. Dje bëra një vizitë dhe mjekët më dhanë leje për t’u rikthyer në pistë. Kanë qenë 9 muaj të vështirë, me shumë momente pasigurie dhe ulje-ngritje. Tani mund të shijoj sërish pasionin tim. Shihemi javën tjetër në Portimao“, shkruan kampioni iberik i garave të shpejtësisë.