Bota

Lajmi i mirë për klimën: Vrima e ozonit po mbyllet/OKB: Do të zhduket brenda 2040-ës!

OKB e konfirmon, vrima e ozonit, dikur rreziku mjedisor më i frikshëm për njerëzimin, në pjesën më të madhe të botës pritet të zhduket plotësisht brenda dy dekadave. Kjo falë veprimeve vendimtare të shumë qeverive për të hequr gradualisht substancat shkatërruese.

Humbja e shtresës së ozonit, që ka rrezikuar ekspozimin e njerëzve ndaj rrezeve të dëmshme ultraviolet të diellit është në rrugën e duhur për t’u rikuperuar plotësisht deri në vitin 2040, në pjesën më të madhe të botës. Po ashtu pritet të rikrijohet plotësisht deri në vitin 2045 në Arktik dhe deri më 2066-ën në Antarktidë.

Që nga frika e humbjes në vitet ‘80, shtresa e ozonit është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme në kuadër të Protokollit të Montrealit të vitit 1989. Kjo marrëveshje ndërkombëtare që ndihmoi në eliminimin e 99% të kimikateve që varfërojnë shtresën e ozonit, të tilla si klorofluorokarburet (CFC) të cilat u përdorën si tretës dhe ftohës. OKB-ja thotë se veprimi i ndërmarrë në shtresën e ozonit ka qenë gjithashtu një armë kundër krizës klimatike:

CFC-të janë gazra serë e përdorimi i tyre i vazhdueshëm dhe i pakontrolluar do të rriste temperaturat globale me një gradë Celsius deri në gjysmën e shekullit duke përkeqësuar një situatë tashmë katastrofike, në të cilën gazrat që ngrohin planetin nuk po pakësohen ende.

“Veprimi ndaj ozonit përbën një precedent për veprimet klimatike”, – tha Petteri Taalas, sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike, i cili prezantoi raportin e progresit, të përpiluar çdo katër vjet.

Suksesi ynë në heqjen graduale të kimikateve që shkatërrojnë ozonin na tregon se çfarë mund dhe duhet bërë urgjentisht për t’u larguar nga lëndët djegëse fosile, për të reduktuar gazrat serrë dhe kufizuar rritjen e temperaturës.

Përgjigja e unifikuar globale ndaj menaxhimit të CFC-së do të thotë se Marrëveshja e Montrealit duhet të konsiderohet si traktati mjedisor më i suksesshëm në histori dhe ofron inkurajim për vendet e botës që të bashkohen e të vendosin për një rezultat.

Progresi nuk ka qenë gjithmonë linear: Në vitin 2018, shkencëtarët zbuluan një rritje të përdorimit të CFC-së, e gjurmuan në Kinë dhe përfundimisht e rregulluan. Ndërkohë, zëvendësimi i CFC-ve me një grup tjetër kimikatesh industriale, hidrofluorokarburet (HFCs), ka qenë problematik pasi HFC-të janë gazra serë ndaj ishte e nevojshme një marrëveshje e mëtejshme ndërkombëtare, e arritur në Kigali, për të frenuar përhapjen e tij.