Aktualitet

Lamtumirë aktorit James Michael Tyler, Gunther i serialit Friends!

James Michael Tyler ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare. Aktori amerikan u bë i njohur me rolin e Gunther-it, menaxherit të kafeterisë “Central Perk”, në seritë e famshme televizive “Friends”. Tyler mbylli sytë në shtëpinë e tij në Los Anxhelos, duke mos i mbijetuar kancerit të prostatës që iu diagnostikua në vitin 2018.

Toni Benson, agjenti i tij, shkruan:

Bota e njohu si Gunther, por për ata që e kanë dashur, ishte aktor, muzikant e bashkëshort.

Tyler është shfaqur në role episodike, në disa serialë televizivë të viteve ‘90, para se të përzgjidhej si personazh sfondi në sezonin e parë të “Friends”, në vitin 1994. Më pas u bë prani e vazhdueshme. Kujtojmë se Gunther nuk ishte vetëm pronari i lokalit “Central Perk”, ku protagonistët mblidheshin çdo ditë, por gjithashtu dashuronte Rachel-in, që interpretohet nga Jennifer Aniston. Veçse, dashuria nuk ishte reciproke.

 

Aktori e bëri të ditur sëmundjen që po kalonte, pak kohë më parë, kur nuk mundi të ishte prezent në ribashkimin special të aktorëve, por me të u realizua një lidhje në distancë për ta përshëndetur.