Bota

Lamtumirë masave anti-COVID! Britania në liri, Boris Johnson në izolim!

Për Britaninë e Madhe nisi Dita e Lirisë, çka nënkupton heqjen e shumicës së kufizimeve anti-COVID e mbajtja e maskës lihet në dorë të qytetarëve. Qeveria është kritikuar gjerësisht pasi infektimet po rriten, edhe për shkak të variantit Delta. Në 24 orë u raportuan mbi 48 mijë raste.

Ndërkaq, kryeministri Boris Johnson u detyrua të bëjë hapa pas e të hyjë në karantinë. Për shkak se ishte në kontakt me Ministrin e Shëndetësisë, Sajid Javid, i cili u konfirmua pozitiv, fillimisht Johnson tha se do të ndjekë programin pilot me teste të përditëshme por më pas për të shuar polemikat, hyri në izolim.

Johnson bëri thirrje për kujdes:

Më 19 korrik hyjmë në fazën e 4-rt me një hapje të madhe. Ky është momenti i duhur por duhet të kujtojmë se për fat të keq, virusi është ende këtu.

Por shefi i Qeverisë së Londrës nuk e pati të lehtë kësaj here për sjelljen e tipit: “bëni siç them unë por mos bëni si bëj unë!”.

Opozita laburiste i kujtoi punëtorët britanikë që kur preken nga koronavirusi janë të detyruar të qëndrojnë 10 ditë në shtëpi ndërsa të tjerë si Johnson, i rezervojnë vetes një trajtim të veçantë dhe ekskluziv duke shpërfillur rregullat.

E ndërsa Britania liron masat anti-COVID, fqinja e saj Franca, ecën në një tjetër drejtim duke shtrënguar disa prej tyre për shkak të shqetësimit nga varianti Delta. Nga sot, kush hyn në territorin francez nga Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Portugalia, Qipro, Greqia e Holanda duhet të paraqesë test negativ koronavirusi jo më të vjetër se 24 orë.