Aktualitet

Lamtumirë mjeshtrit të aventurës Wilbur Smith, autor bestseller!

Wilbur Smith, një prej autorëve më të famshëm në botë, u nda papritur nga jeta, në Cape Town të Afrikës së Jugut. Ishte 88-vjeç. Në lajmin e dhënë në faqen e tij, thuhet:

Iku në mënyrë të papritur, pas një mëngjesi leximi dhe shkrimi, në krah të bashkëshortes, Niso.

Me Egjiptin e lashtë, Wilbur Smith lë lexuesit e tij me romanin “Mbretëria e re”, që publikohet këto ditë e është shkruar me shkrimtarin dhe gazetarin anglez Mark Chadbourn. I “dorëzon” mes intrigave të pallatit, luftës për pushtet, konflikteve të përgjakshme e aventurave që të lënë pa frymë, në zemër të Egjiptit.

E për Egjiptin, vetëm pak ditë më parë, shkrimtari afrikano-jugor i lindur në Zambia më 9 janar 1933, shprehej:

Egjipti gjithnjë më ka tërhequr, përfaqëson kryqëzimin e kontinenteve, themelin e historisë së qytetërimit. Gjithçka ka ndodhur atje.

Mjeshtri i padiskutueshëm dhe i paimitueshëm ka shkruar 49 romane, duke shitur mbi 140 milion kopje në botë e është përkthyer në më shumë se 30 gjuhë.

Te “Courtney”, ndër librat e tij më të famshëm të botuar në seri, ndiqen aventurat e familjes Courtney në të gjithë botën, duke kapërcyer breza e tre shekuj, përmes periudhave kritike: nga Afrika nën sundimin kolonial, te lufta civile amerikane e deri në kohën e aparteidit në Afrikën e Jugut. Wilbur Smith besonte te kërkimi i thellë, për të shkruar për gjëra që i njeh mirë. Novelisti përdorte edhe përvojat e gjera jashtë Afrikës, në vende si Zvicra e Rusia rurale, për ta ndihmuar në krijimin e botëve të tij imagjinare.