Aktualitet

Lamtumirë regjisorit Vladimir Kasaj!

Shuhet në moshën 70-vjeçare, regjisori Vladimir Kasaj. Një ishemi cerebrale i mori jetën njeriut të kinemasë e televizionit, të cilit siç njoftojnë familjarët, sot në orën 14:00 do t’i jepet lamtumira e fundit, në varrezat e Sharrës.

Kasaj lindi në Tiranë më 12 tetor 1950 e studioi në Institutin e Lartë të Arteve, si edhe në Institutin e Kinematografisë, në Bukuresht të Rumanisë. Fillimisht, punoi si asistent i regjisorit Dhimitër Anagnosti në filmin “Lulëkuqe mbi mure” e më pas, me Spartak Pecanin ishte regjisor te “Streha e re”, prodhim i vitit 1977.

Po si regjisor kaloi më tej në Televizionin Shqiptar ndërsa emrin e tij e mbajnë filma si “Inxhinieri i Minierave”, “Flaka e maleve”, “Ditët që sollën pranverën” e “Rikonstruksioni”. Me këtë të fundit u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu” për regjinë më të mirë.

Vladimir Kasaj spikati për bashkëpunimet të shumta me Teatrin Kombëtar e me një sërë trupash teatrore të Shkodrës, Durrësit, Korçës, Elbasanit e Fierit. Në vitet ‘80 është përfshirë në koncertin e madh të ndërrimit të viteve.