Aktualitet

Lamtumirë Vitore Sallaku, ndër themelueset e Cirkut Shqiptar!

Akrobatja e njohur Vitore Sallaku, një nga themelueset e Cirkut shqiptar, ndërroi jetë dje në moshën 81 vjeçare. Sallaku ka lënë pas një një trashëgimi artistike të një niveli shumë të lartë. Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Kulturës, Elva Margariti shkruan:

Një grua e rrallë, energjike, një artiste e talentuar, një nga themelueset e Cirkut shqiptar, u nda nga ne. Akrobatja Vitore Sallaku ka lënë pas kaq shumë kujtime të bukura dhe u ka falur kaq shumë gëzim njerëzve, saqë largimi do të jetë vetëm fizik. Sallaku ishte dhe do të mbetet një shkollë për brezat e rinj.

Vitore Sallaku njihet edhe si bashkëshortja e humoristit të madh Skënder Sallaku, i cili ka ndërruar jetë në vitin në shkurt të 2014. Ajo e nisi karrierën e saj në vitin 1952 në Cirkun e Tiranës me Ali Xhixhën. Më pas, në vitin 1956 shkoi në Estradë, pasi fillimisht cirku ka qenë pjesë e vogël e Estradës. Në vitin 1972 u nda cirku nga Estrada si një institucion më vete. Sallaku dha kontribut të madh edhe për talentet e reja të cirkut.

Në krijimtarinë e saj numëron 6 libra, një prej të cilit ia dedikon bashkëshortit të saj “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku. Vetëm pas përmbysjes së komunizmit, në demokraci, puna e saj vlerësohet duke marrë disa tituj si “Artiste e merituar” dhe “Mjeshtre e madhe e Punës”.