Bota Sport

Laurel Hubbard, gruaja e parë transgjinore që garon në Lojërat Olimpike nuk arrin dot finalen!

Atletja Laurel Hubbard ka hyrë në histori si gruaja e parë transgjinore që garon në Lojërat Olimpike. Kjo është hera e parë që një atlete transgjinore merr pjesë gjatë 125 viteve histori të Lojërave Olimpike. Megjithatë peshëngritësja nga Zelanda e Re nuk arriti të ngjitej në podium, sepse nuk mundi dot të dilte me sukses për në raundin final.

Hubbard garoi në kategorinë e 87+ kilogramëve, por ajo nuk mundi të ngrinte 125 kilogramë duke u lënë kështu jashtë finales. Pavarësisht se nuk arriti suksesin e dëshiruar, Laurel u shfaq në fund të garës shumë e lumtur duke përshëndetur publikun. Pas përfundimit të saj ajo u shpreh:

Performanca ime nuk ishte ashtu siç shpresoja, por ndihem e nderuar nga e gjithë mbështetja që kam marrë nga shumë njerëz nga Zelanda e Re. Jam e vetëdijshme që pjesëmarrja ime ka qenë e diskutueshme. Faleminderit Komiteti Ndërkombëar i Lojërave Olimpike për vlerat që transmetojnë dhe që kanë treguar se sporti është për të gjithë dhe se peshëngritja mund të bëhet nga të gjithë llojet e njerëzve.

Hubbard i bashkohet mesfushores së Kanadasë, Quinn, që është transgjinore dhe jobinare, duke arritur nivele të reja për sportistët transgjinorë në Lojërat Olimpike të këtij viti. Hubbard ishte në qendër të vëmendjes mediatike kur Komiteti Olimpik e lejoi që të konkurronte, një vendim që u mbështet, por që mori edhe shumë kritika.