Bota

Lavrov: Merreni seriozisht fjalimin e Putin, Perëndimi duhet të jetë i qartë!

Pasi presidenti rus Vladimir Putin shpalli aneksimin e 4 rajoneve të Ukrianës pas mbajtjes së referendumeve farsë, një deklaratë ‘kërcënuese’ vjen nga Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ai thotë që politikanët e jashtëm duhet të marrin seriozisht fjalimin e mbajtur nga Putin gjatë ceremonisë së shpalljes së aneksimit të rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia.

“Është e pamundur të injorohet fjalimi i Putinit, ambasadorët rusë u ngarkuan ta përhapin atë sa më shumë që të jetë e mundur jashtë vendit, përfshirë edhe në OKB”, kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Moskës, Sergei Lavrov, duke iu referuar fjalëve të presidentit rus në ceremoninë e aneksimit të katër rajoneve të Ukrainës.

“Unë me të vërtetë shpresoj që politikanët seriozë në botë të lexojnë nga A në Z atë që tha Putini, shumë gjëra duhet të bëhen absolutisht të qarta për ta”, shtoi ai sipas Ria Novosti.

Lideri i Kremlinit Vladimir Putin dhe ‘guvernatorët’ pro-rusë të katër rajoneve ukrainase Kherson, Zaporizhzhia, Donetsk, Lugansk kanë nënshkruar traktatet që sanksionojnë hyrjen e këtyre territoreve në Federatën Ruse.

Ceremonia u zhvillua në sallën e Shën Gjergjit në Pallatin e Madh të Kremlinit. Në fund të ceremonisë së nënshkrimit me krerët e katër rajoneve Denis Pushilin , Leonid Pasechnik , Vladimir Saldo dhe Yevgeny Balitsky,  liderët shtrënguan duart.

Lideri çeçen Ramzan Kadyrov shpërtheu në lot gjatë fjalimit të presidentit rus Vladimir Putin në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve për aneksimin e territoreve të okupuara ukrainase.