Bota

Lavrov sulmon Finlandën: Po përpiqet të shkaktojë një kryengritje kundër Putinit!

Vendi i fundit evropian që ka shkaktuar zemërimin publik te figurat e larta të Kremlinit është Finlanda.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov gjatë një konference për shtyp u shpreh se vendi nordik kishte shkatërruar statusin dhe reputacionin e tij neutral, duke iu bashkuar “projektit anti-rus të Shteteve të Bashkuara”.

“Jam i befasuar me shpejtësinë me të cilën Finlanda ka shkatërruar statusin e saj neutral dhe reputacionin e saj dhe i është bashkuar projektit anti-rus të Shteteve të Bashkuara”– tha Lavrov, ndërsa e përshkroi mesazhin e ministres së Jashtme finlandeze, Elina Valtonen se rusët duhet të paguajnë “një çmim” për atë që po ndodhte në Ukrainë si “absolutisht të dëshpëruar”.

“Edhe një herë, do të doja të theksoja se Finlanda po bën hapa të shtatë ligave drejt bashkimit me kryesuesit e fushatës anti-ruse, rusofobike të Perëndimit”, tha ai.

“Zonja Valtonen, me sa duket, është ende një diplomate e papërvojë, sepse ajo e ka thënë hapur pse vendosen këto sanksione: për të dëmtuar njerëzit e zakonshëm. Prandaj, siç tha ajo, çmimi për zhvillimin e një lufte të tillë duhet të paguhet nga populli rus, kështu që ajo dëshiron që populli rus të ngrihet në revoltë kundër qeverisë së vet”.

Pak më shumë se një vit pas pushtimit rus të Ukrainës, Finlanda i dha fund dekadave të mos-angazhimit ushtarak dhe të mbështetjes te vetja për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s.