Live From Tirana Sociale

Lediona Braho: “Ndërhyrjet kirurgjikale po kryhen për shkak të presionit në shoqëri”!

Ditën e sotme në “Live From Tirana” për të diskutuar rolin që kanë ndërhyrjet estetike tek adoleshentët, ishte e ftuar në një lidhje telefonike një profesioniste lidhur me këtë temë, Lediona Braho, profesoreshë e degës së psikologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale, si dhe psikologe në shkolla me një eksperiencë 20-vjeçare.

E pyetur se pse ndodhin pasiguritë tek adoleshentët, lidhur me pikat problematike të mendimit të tyre, Lediona u përgjigj:

Kjo ndodh sepse ky është një proces biologjik. Adoleshenca vjen në një moment të vrullshëm, vjen me pubertetin, i cili në fakt ka lëvizur pak si moshë. Ka qenë më parë 13-14 vjeç, por është ulur 12-13 vjeç. Edhe sistemi shkollor, klasa e 9-të, bën që ata ta kalojnë pubertetin dhe të fillojnë para-adoleshencën. Dhe kështu fillojnë të gjitha proceset në të njëjtën kohë. Pra, kemi një moshë që vjen me ndryshime të vrullshme dhe pastaj varet dhe nga adoleshentët se si i përballojnë këto. Ose sa pika të forta kanë ata për të përballuar ato që mund të jenë dhe pika të dobëta, që më pas kthehen dhe në konflikte brenda nëpër sistemet shkollore.

E pyetur se sa presion ndiejnë adoleshentët sot për të qenë fizikisht brenda një modeli të caktuar që promovojnë rrjetet sociale, Brahu u shpreh:

Në këto 5 apo 7 vitet e fundit, ata po e ndjejnë më shumë. Unë kam vite që punoj dhe në eksperiencën time, para shumë e shumë vitesh sigurisht që kemi patur disa modele, disa personazhe të cilat i pëlqenim dhe përpiqeshim që t’i ngjanim, por tani tendenca është bërë më e fortë. Tiparet fizike janë kthyer në një tendencë shumë të fortë, që ka një moment të cilin duan me patjetër që t’i ngjajnë dikujt.

Po nëse një adoleshent dëshiron të kryejë ndërhyrje si fillersa apo botox, pse nuk duhet ai të kryejë një ndërhyje e cila nuk është e nevojshme?

Nuk duhet, sepse të gjithë adoleshentët janë të bukur në mënyrën e vet dhe nuk ka arsye për t’i ngjarë dikujt që për momentin kanë shumë ‘like’ apo klikime në rrjete sociale. Ndërkohë që fakti se pse e bëjnë, është sepse kanë një presion në shoqëri që vajzat të jenë të gjitha të gjata, të bukura, me buzët në një formë të caktuar, hunda të jetë në një kriter, mollëzat e kështu me rradhë. Të gjitha këto që përbëjnë kriteret e bukurisë, për mua, këto vajza që i kryejnë dhe që fillojnë që në adoleshencë ndërhyrjet, i bëjnë me një tendencë për të qenë më të pëlqyer në shoqëri. Por mendoj që kjo ka lidhje dhe me personalitetin, ku personi që i kryen, ka disa pika të dobëta brenda vetes të cilat nuk i ka fuqizuar dot.