Aktualitet

Lefter Koka mbetet në burg, Gjykata e Lartë i refuzon rekursin!

Mbetet në burg Lefter Koka! Gjykata e Lartë i refuzoi ish-ministrit të Mjedisit rekursin për t’u liruar nga masa e sigurimit “Arrest me burg”, pas akuzave për aferën 3.7 milion euro lidhur me çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Mbi një muaj më parë ishte Apeli i Gjykatës së Posaçme që gjithashtu refuzoi ndryshimin e masës së sigurisë për Kokën sa i përket dosjes së inceneratorit në Elbasan. SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, duke përfituar 3.7 milion euro.

Me provat e deritanishme, gjithashtu hetuesit kanë arritur të faktojnë se ish-ministri Koka ka përfituar në mënyrë të paligjshme edhe nga inceneratori i Fierit, në vlerën 1.2 milion euro. Sipas SPAK-ut, në total janë rreth 5 milion euro nga të dy inceneratorët.

Me të njëjtën skemë si në Elbasan, Lefter Koka ka përfituar nga shoqëritë “Integrated Technology Uaste Treatment Energy” dhe “Integrated Technology Services”, 1.2 milion euro, përmes faturave tatimore fiktive nga kompani të treta të lidhura me ish-ministrin, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. Kjo pagesë, iu dha Kokës si shpërblim për favorizimin që i bëri dy kompanive për të lidhur kontratën e koncensionit.

Për çështjen e inceneratorëve është në burg edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Dy ditë më parë, avokati i tij, Sokol Hazizaj e konsideroi vendimin e GJKKO-së “të padrejtë” e theksoi se ish-deputeti, “në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, nuk ka prodhuar akte, por vetëm ka kaluar dokumentacionet për Këshillin e Ministrave”.

Eshtë jo ligjore dhe jo e drejtë! La në fuqi këtë lloj vendimi që për ne është tërësisht dhe haptazi jo vetëm në mungesë të respektit dhe lirisë së Alqi Bllakos, por edhe në mungesë të dijenisë që ka kjo gjykatë dhe organi procedural i hetimit për Kodin e Procedurës Administrative. Tre faktet penale të cilat ka identifikuar organi procedural i hetimit, që lidhen me shpronësimin e tokës, janë akte të prodhuara jo nga Alqi Bllako. Nuk është prodhuar akti nga Alqi Bllako. Bllako në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm ka përcjellë vetëm dokumentacionin për shkak të akteve që dalin nga Këshilli i Ministrave.

Pandeli Majko pranon të marrë mandatin e deputetit socialist të dorëzuar nga Alqi Bllako. Mësohet se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Majko depozitoi formularin e dekriminalizimit dhe se më herët u mësua se atij do t’i kalonte vendi i Bllakos.