Aktualitet

Lëkundje sizmike në Elbasan, nuk ka dëme!

Vazhdon aktiviteti sizmik në vendin tonë. Një tërmet me magnitudë 3 i shkallës Rihter u regjistrua sot rreth orës 09:00 të mëngjesit, sipas IGJEUM-it me epiqendër 11 km në veri-perëndim të Elbasanit e në thellësinë 19 km.

Nuk ka raportime për dëme pavarësisht panikut si reagim i njerëzve sa herë bien tërmetet ndërsa ky i sotmi u ndje edhe qytete të tjera, përfshirë Tiranën. Sa i përket tërmeteve në vendin tonë, pak ditë më parë, verilindja e vendit u trondit nga lëkundje të forta që fatmirësisht nuk shkaktuan të lënduar por dëme të shumta në Qarkun Dibër. Dhjetëra banesa u dëmtuan sipas raportimeve nga pushteti vendor.

Por nuk ka diskutim që tërmeti më i fuqishëm i dy viteve të fundit mbetet ai i 26 nëntorit 2019 që iu kushtoi jetën 51 personave, pjesa më e madhe në Thumanë, ndërsa Durrësi rezultoi qarku më i goditur. Dhjetëra familje mbetën të pastreha edhe në Tiranë e Laç.