Aktualitet

Lëndë plasëse një fasonerie në zonën e Freskut në Tiranë, vetëm dëme materiale!

Shpërthim me lëndë plasëse në zonën e Freskut në Tiranë, në portën e jashtme të një fasonerie. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme dhe policia e kryeqytetit njofton se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. U dëmtuan dera e jashtme e hekurit e një automjet i parkuar, si dhe u thyen disa xhama. Biznesi ku ndodhi shpërthimi me një sasi të vogël lënde plasëse rezulton në pronësi të një shtetasi italian. Policia njofton se po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi zyrtar:

Më datë 25.05.2023, rreth orës 21:50, në rrugën “Fadil Deliu”, në portën e jashtme të një fasonerie në pronësi të shtetasit Italian R. B , dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse.

Si pasojë është dëmtuar dera e jashtme e hekurit, thyer disa xhama dhe një automjet që ka qënë i parkuar. Nuk ka persona të dëmtuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/eve.

Nga kamerat e sigurisë u vërejt një person me biçikletë, i maskuar me skafandër dhe që vendos eksplozivin. Sa i përket motiveve, ende nuk është e qartë. Pronarit të fasonerisë, i cili prej 8 vitesh ushtron aktivitetin në Shqipëri, është hera e dytë që i vendoset eksploziv në biznes. Edhe më 5 maj i vunë lëndë plasëse, por nuk shpërtheu. Policia nuk mundi të gjente autorin.