Bota

“Lëvizi gishtin nga qafa në shpinën e saj dhe…”/ 5 gjëra që duhet të dini rreth akuzave për ngacmim seksual ndaj guvernatorit të New York-ut Andrew Cuomo.

Raporti i bërë publik të martën nga Prokurorja e Përgjithshme e Shtetit të Nju Jorkut, Letitia James, mund ta bëjë të vështirë për guvernatorin e New Yorkut që të mbetet në detyrë. Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, doli në përfundimin se Guvernatori Andrew Cuomo ka ngacmuar seksualisht gra të shumta në kundërshtim me ligjin amerikan dhe shtetëror.

Por guvernatori kundërshtoi me shpejtësi se kishte kryer ndonjë sjellje të papërshtatshme dhe e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Dua ta dini drejtpërdrejt nga unë se kurrë nuk kam prekur askënd në mënyrë të papërshtatshme apo të kem bërë ngacmime të papërshtatshme seksuale,” tha në një dekraratë të regjistruar më parë zoti Cuomo, një demokrat që ka shërbyer si guvernator që nga viti 2011. “Unë jam 63 vjeç. Kam jetuar tërë jetën time të rritur në sytë e publikut. Nuk jam ndryshe. Dhe nuk kam qenë ndonjëherë si më përshkruajnë.

Hetimi arriti në përfundimin se zoti Cuomo është përfshirë në ngacmime, puthje dhe përqafime të padëshiruara dhe ka bërë komente të papërshtatshme për gjithsej 11 gra, tha Prokurorja e Përgjithshme Letitia James në një konferencë shtypi të martën, duke shtuar se zyra e guvernatorit ishte bërë një “vend toksik pune” që mundësonte të ndodhnin ngacmimet. Ky ishte një hetim civil dhe nuk do të çojë drejtpërdrejt në akuza penale kundër guvernatorit.

Faktet janë shumë të ndryshme nga si janë portretizuar, tha zoti Cuomo.

Cuomo u përpoq të shpjegonte takimet si mënyrën e tij të zakonshme për të treguar dashuri ndaj të tjerëve. Videoja që ai publikoi tregon fotografi të shumta të tij duke përqafuar dhe puthur burra dhe gra të moshave të ndryshme që duken konsensuale.

Gjetjet, të detajuara në një raport prej 168 faqesh megjithatë, mund të japin një goditje shkatërruese për të ardhmen politike të zotit Cuomo dhe të pengojnë punën e administrates së tij.

Këto 11 gra ishin në një mjedis armiqësor dhe toksik pune. Ne duhet t’u besojmë grave, tha prokurorja James, një demokrate.

“Ajo që zbuloi ky hetim është një model shqetësues i sjelljes të guvernatorit të shtetit të madh të Nju Jorkut,” shtoi zonja James.

Carl Heastie, kryetari i Asamblesë së Nju Jorkut të kontrolluar nga demokratët, i cili ka autorizuar një hetim për shkarkimin e mundshëm të zotit Cuomo, i quajti gjetjet e raportit “shqetësuese” dhe tha se ato tregojnë se “ai nuk është i përshtatshëm për detyrën e guvernatorit”.

Senatorja e Shtetit Andrea Stewart-Cousins, udhëheqëse e shumicës së Senatit, tha se raporti jepte hollësi për “sjellje të papranueshme” nga zoti Cuomo dhe administrata e tij dhe i bëri thirrje që të “japë dorëheqjen për të mirën e shtetit”.

“Tani që hetimi ka përfunduar dhe akuzat janë vërtetuar, duhet të jetë e qartë për të gjithë se ai nuk mund të shërbejë më si guvernator,” tha zonja Stewart-Cousins.

Hetuesit folën me 179 persona, duke përfshirë persona që e kishin paditur guvernatorin dhe anëtarë aktualë dhe të mëparshëm të dhomës ekzekutive, tha prokurorja James. Ajo tha se hetimi rezultoi në një “tablo të qartë” të asaj që ajo e quajti “klimë frike” në të cilën guvernatori Cuomo ngacmonte seksualisht shumë gra, shumë prej tyre të reja. Prokurorja e Përgjithshme James filloi hetimin e saj mbi akuzat pasi mori një kërkesë zyrtare nga zyra e zotit Cuomo më 1 mars ndërsa u shtua numri i pretendimeve të raportuara.

Hetuesit kanë përshkruar tre akuza të pa raportuara më parë

Në raport thuhet se një nga gratë që Cuomo vuri në shënjestër ishte pjesëtare e forcave policore shtetërore. Akovatja Clark tha se zoti Cuomo qëndroi në një rast pas saj në një ashensor “lëvizi gishtin nga qafa në shpinën e saj dhe e ngacmoi seksualisht. Në raport thuhet se hetuesit nuk i gjetën të besueshme shpjegimet e zotit Cuomos në lidhje me rastet e hetuara. Aty thuhet se “mohimet e përgjithshme dhe mungesa e kujtesës për incidente specifike ishin në kontrast të plotë me forcën, specifikën dhe pohimet e

Në një incident tjetër, guvernatori u tha se kishte kaluar dy gishta në gjoksin e një punonjëseje të kompanisë energjetike, Virginia Limmiatis, dhe më pas e kishte fërkuar dorën nën qafën e saj. Dhe në akuzën e fundit të pa raportuar, guvernatori u tha se kishte kapur pjesën e pasme të një punonjësi pa emër të një njësie të lidhur me shtetin e Nju Jorkut.

Reagimi i Presidentit Biden

Edhe Presidenti Biden reagoi, i pyetur nga një gazetare e CNN-it nëse u përmbahej komenteve të mëparshme se zoti Cuomo duhet të largohet nëse rezulton fajtor nga një proces hetimor:

Siç e thashë, nëse hetimet, nëse prokurorja e përgjithshme arrinin në përfundimin se akuzat janë të sakta, gjë që thashë në mars, atëherë do të rekomandoja që ai të dorëhiqet. Këtë po përsëris sot. Nuk e kam lexuar raportin, nuk jam në dijeni të detajeve. Thjesht di rezultatin e hetimit, tha presidenti.

Raporti i detajuar, i cili u prezantua të martën nga prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, është rezultat i një pune hetimore prej afro pesë muajsh të kryesuar nga dy juristë të pavarur. Ai doli me konkluzionin se 11 gra që e akuzojnë guvernatorin Andrew Cuomo se i kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme, apo kishte bërë komente të sikletshme, me tone seksuale ndaj tyre, po thonin të vërtetën.