Aktualitet

Lëvizjet drejt BE-së, rekomandohet heqja e kufizimeve kundër COVID-it!

Tirana zyrtare njofton se “Këshilli ka përditësuar rekomandimin për heqjen e masave kufizuese anti-COVID për udhëtimet jothelbësore drejt Bashkimit Evropian”. Në njoftimin e sotëm të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, thuhet:

Këshilli rekomandon që shtetet anëtare të BE-së duhet të lejojnë udhëtimet jothelbësore edhe për vendet e treta, që janë pjesë e listës së Unionit për heqjen e kufizimeve, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Duke filluar nga data 1 mars do të lejohen të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së personat e vaksinuar me një vaksinë të miratuar nga Bashkimi Evropian ose Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo, me kushtin që të kenë kaluar të paktën 14 ditë nga marrja e dozës së fundit dhe jo më shumë se 270 ditë para mbërritjes në një shtet të BE-së. Po ashtu do të lejohen personat e rikuperuar nga COVID-19.

MEPJ njofton se për disa nga këta udhëtarë, mund të zbatohen masa shtesë si testimi PCR përpara udhëtimit.

Për fëmijët e moshës nën 6 vjeç, Këshilli rekomandon të mos kërkohet apo zbatohet asnjë masë shtesë. Kujdes! Shtetet anëtare të BE-së gjithashtu mund aplikojnë masa shtesë, si karantinimi. Rekomandimi i Këshillit do të rishikohet sërish brenda datës 30 prill 2022 nga Komisioni Evropian.

Në vendin tonë, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të reduktojë kohën e izolimit për të prekurit nga COVID-19 në 5 ditë dhe ka rekomanduar që doza e tretë përforcuese e vaksinës të kryhet 5 muaj pas dozës së dytë. Kjo u bë e ditur sot nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Sa i takon masave anti-COVID, ministrja Manastirliu thekson se situata po ndiqet ne dinamikë dhe masat do të rivlerësohen në vijim.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, për vlerësimin e situatës epidemiologjike, vlerësimin e ecurisë së programit të vaksinimit dhe masave anti-COVID. Ekspertët e Komitetit Teknik rekomanduan për vlerësim nga Komiteti i Vaksinimit, reduktimin e periudhës së vaksinimit me dozën e tretë përforcuese, nga 6 muaj që është aktualisht, në 5 muaj pas së dytës.

Ministrja u shpreh se “Komiteti vendosi të reduktojë kohën e izolimit për të prekurit nga COVID-19 në 5 ditë, sipas Udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik”.