Bota

Liban-Arabi Saudite në krizë nga një ministër libanez, ish-moderator i njohur!

Komenti për luftën në Jemen në një transmetim televiziv, nga një ministër libanez, fut në krizë të thellë Libanin e Arabinë Saudite. George Kordahi nxiti zemërim e për pasojë, Libani po izolohet edhe më shumë. Në një emision, Kordahi quajti “absurde” luftën në Jemen.

Rebelët huthi të mbështetur nga Irani, nuk kanë sulmuar askënd dhe kanë të drejtë të mbrohen.

Deklaratën e fortë e bëri në një emision të regjistruar, para se të emërohej ministër i Informacionit në Qeverinë e kryeministrit Najib Mikati, kabinet që u formua në shtator. Deri atëherë, George njihej gjerësisht në botën arabe si drejtues i programit televiziv “Kush dëshiron të bëhet milioner?”, që transmetohej në një rrjet televiziv saudit.

Riadi nuk qëndroi indiferent, por ndaloi të gjitha importet nga Libani, çka pritet të rëndojë edhe më shumë ekonominë libaneze në krizë, duke i shkaktuar humbje të mëdha financiare. Siç tashmë dihet, Arabia Saudite dhe Irani janë në rivalitet të fortë në Jemen. Tensionet zgjasin prej vitesh, për shkak të rolit të Hezbollahut në Liban, grupit militant i cili mbështetet nga iranianët.

Por, çfarë fshihet në të vërtetë pas reagimit të zemëruar saudit dhe çfarë do të thotë kjo për Libanin tashmë buzë kolapsit?

Kordahi u emërua nga një parti kryesisht e krishterë, aleate e Hezbollahut ndërsa zyrtarët sauditë i cilësuan “fyese” e “të njëanshme” komentet e tij lidhur me militantët Huthi. Nga viti 2015, një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite i lufton rebelët Huthi në Jemen. Ndërkaq, sauditët nuk duan rritje të ndikimit iranian në Liban. Në Arabinë Saudite, Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, njihet për zbatimin e një politike të rreptë të jashtme që disa e përshkruajnë “të guximshme”, por në 16 vitet e fundit, nuk ia ka dalë të dominojë në Liban. Qeverinë Mikati, Riadi e kundërshtoi, por Uashingtoni e Parisi e mbështesin. Dukshëm të nervozuar, sauditët reaguan ashpër ndaj komenteve të ministrit libanez, si dhe tërhoqën ambasadorin nga Libani. Në të njëjtën linjë, vepruan edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti e Bahreini.