Aktualitet Rajoni

Liberalizim vizash për Kosovën ende nuk ka, po për dy shtetësinë e shqiptarëve çfarë do të bëhet?!

Edhe samiti më i fundit i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor nuk solli gjë të re (përveç optimizmit të përhershëm e fjalëve të bukura) për liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendi u përfaqësua në mbledhje nga presidentja Vjosa Osmani, e cila për ironi nuk mund të ishte e pranishme pa vizë dhe sipas refrenit të përsëritur, Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk përfiton nga liberalizimi ndonëse i ka bërë “detyrat e shtëpisë”. Komisioni Europian e dha rekomandimin prej 2018-ës, por disa shtete të Unionit ende nuk binden.

Shumë premtime e asgjë kanë bërë që qytetarët të humbin durimin nga pritja e gjatë. E nuk është vetëm çështje lëvizjeje për të parë botën, të gjithë bien dakord që Kosova e meriton. Në të njëjtën linjë qëndrimi është edhe kryeministri Rama. Me tone të forta dhe i drejtpërdrejtë, Rama nuk u kursye në Bruksel kur e cilësoi “çmenduri” dhe “të turpshëm” mosliberalizimin e vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Europian.

Ka një tjetër pengmarrje në proces, që është pengmarrja e qytetarëve të Kosovës të cilët nuk lejohen të lëvizin lirshëm në Europë. Është popullata e vetme në tokën e Europës që nuk mund të lëvizë lirisht. Dhe ju thashë atyre: A mund ta përfytyroni? Ishin nën diktaturën jugosllave dhe mund të udhëtonin, të shkonin në Gjermani. Mund të shkonin në Zvicër. Mund të shkonin kudo e mund të punoni… Por qysh kur u liruan, çliruesit, çlirimtarët e tyre [bashkësia ndërkombëtare] po i mbajnë peng.  Ata nuk mund të lëvizin. Kjo është çmenduri. Kjo është e turpshme dhe kjo duhet të marrë fund dhe njerëzit duhet të lejohen të lëvizin lirisht!

Me një Europë të vonuar me Kosovën dhe me premtime boshe, ka nga ata që shkojnë më tej dhe e kanë me qeverinë shqiptare: Përse të mos iu jepet pasaporta e Shqipërisë çdo shqiptari nga Kosova, në kushtet e refuzimeve të vazhdueshme të BE-së? E për këtë sjellin shembuj në rrjetet sociale. Një prej tyre, i identifikuar si Jetmir Sinani shkruan:

Gjithë kroatët që jetojnë në Bosnje kanë nënshtetësi kroate e atë boshnjake. Gjithë serbët që jetojnë në Bosnje kanë nënshtetësi boshnjake dhe atë të Serbisë. Shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të Veriut apo në Kosovë, nuk kanë të drejtën e pasaportës shqiptare sepse nuk ka konsideroni si shqiptarë. Turp le t’iu vijë politikanëve të Shqipërisë!

Java që po lemë pas nisi me mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës e Shqipërisë dhe që u zhvillua në Prishtinë, aty u nënshkuan 19 marrëveshje në disa fusha ku mes më të rëndësishmeve ishte për të kthyer në virtual kufirin tokësor. Por, për kryetarin demokrat, Sali Berisha, “shqiptarët presin marrëveshje për dy shtetësinë apo mundësinë për të zgjedhur njërën prej shtetësive”.

Në vitin 2021 ishin rreth 1 mijë qytetarë të Kosovës që kanë aplikuar për leje qëndrimi në Shqipëri, kryesisht për bashkim familjar, për punë ose për studime. Që një qytetar i Kosovës të pajiset me pasaportë të Shqipërisë, kushti kryesor është të pasurit e lejes së qëndrimit për 7 vjet.

Në rast se shtetasi kosovar është i martuar me shtetase shqiptare, për jo më pak se 3 vjet, atëherë periudha e qëndrimit duhet të jetë të paktën 1 vit me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë. Nëse shtetasi kosovar provon (dëshmon) origjinën e tij shqiptare, i lindur nga prindërit me shtetësi shqiptare deri në tre breza, leja e qëndrimit nuk është e nevojshme.

Aplikimi për fitim të shtetësisë shqiptare bëhet pranë Drejtorive Vendore të Policisë së Shqipërisë.

Numri i shtetasve nga Kosova, të cilët kanë marrë leje pune në Shqipëri nga viti 2018 e deri në shtator të vitit 2021, është 622. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, që nga viti 2000 e deri në vitin 2018, mbi 730 qytetarë të Kosovës janë pajisur me pasaporta të Shqipërisë. Shumica prej tyre janë politikanë dhe familjarë të tyre, artistë, sportistë dhe anëtarë të shoqërisë civile, që me dekret të presidentit të Shqipërisë i kanë marrë pasaportat shqiptare.