Rajoni

Liberalizimi i vizave për Kosovën: S’ka udhërrëfyes shtesë!

Komisioni Evropian deklaron se nuk planifikon udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Komisioni ka sqaruar se mbron qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për lëvizje të lirë.

Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit, duke përcjell qëndrimin e KE, i ka thënë KosovaPress-it se vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është shumë i vonuar.

“Komisioni vazhdon të qëndrojë prapa vlerësimit nga korriku 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave i vitit 2012, të cilat kanë të bëjnë me riatdhesimin dhe ri-integrimin, sigurinë e dokumenteve, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, sigurinë dhe rendin publik, si dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes. Vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është një vendim shumë i vonuar, i cili është në pritje në Këshill”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të KE-së.

Tutje, në përgjigje thuhet se pasi të vendoset liberalizimi i vizave, Komisioni Evropian do të monitorojë zbatimin e vazhdueshëm të kërkesave që dalin nga procesi i Stabilizim-Asociimit dhe nga mekanizmat suspendues të vizave.

“Ne kuptojmë se disa shtete anëtare vazhdojnë të kenë shqetësime rreth çështjeve si lufta kundër korrupsionit, kërkesat e rrejshme për azil dhe siguria e dokumenteve, që janë mbuluar nga udhërrëfyesi. Komisioni mbetet i gatshëm që të mbështesë punën shtesë mes shteteve anëtare dhe autoriteteve të Kosovës për t’i adresuar këto çështje. Ne nuk po flasim për ndonjë udhërrëfyes të ri”, thuhet në përgjigje.

Sqarimi nga zëdhënësi i KE-së vjen pas deklaratës së komisionarit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili përmendi mundësinë e një udhërrëfyesi shtesë për të adresuar disa shqetësime specifike për liberalizimin e vizave për Kosovën.