Uliksi
James Joyce

Romani i Irlandezit Joyce konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë moderniste, duke u cilësuar si thelbësore për këtë lëvizje. Pjesërisht e publikuar në revistën letrare amerikane “The Little Review” mes marsit 1918 dhe dhjetorit 1920, proza ekperimentale, struktura e kujdesshme dhe rrjedhshmëria e lojërave të fjalëve, parodive, epifanive dhe aludimeve të autorit e bëjnë këtë vepër ‘të mundimshme’ një nga librat që duhet të lexoni se s’bën të paktën një herë në jetë.

Publikuar: 1922
732 faqe
Përmbledhje

Megjithë përthyerjet që pëson gjatë përkthimeve ( dhe natyrisht çdo përpjekje për t’i konvertuar dredhitë idiosinkratike të Joyce – it nuk shkojnë larg) Uliksi ka patur në letërsi një efekt që s’mund të krahasohet. Nga njëra anë ai shfaqet si monument i palexueshëm dhe i errët, diçka që vetëm një elitë intelektuale rreket ta shfrytëzojë për të shtuar madhështinë e vet; dhe nga ana tjetër, libri ka kapur tregjet dhe është shndërruar në atë që quhet kulturë pop-ullore, që e tregon fare hapur.

Një sajesë letrare, punë asgjë veç disa fjalëve e gërmave në një libër, 16 qershori njihet në mënyrë globale si "Bloomsday"; njihen festime dhe mbledhje, disa në formë kulti e përnderimi, disa me përqeshje, disa plot me komercializëm të trashë.

Tek Uliksi gjejmë po ato shqetësime të vjetra njerëzore: familja, përkujdesi, konflikti, beteja apo pushteti, rrënimi, zija, vetmia, mashtrimi, të gjitha të paraqitura aq vrullshëm te Odiseja, asgjë e re nën këtë diell. Por Joyce  i ofroi trajta të çuditshme, variacione të habitshme të kësaj asgjëje të re. Ajo që duket si roman u shndërrua në një seri metamorfozash të gjendjes, perspektivës, të stileve, ngjyrimeve tematike. Është bazuar në një epikë klasike, përmban pasazhe lirike, forma dramatike, është i mbushur me parodi, imiton teknikat muzikore dhe kërkon një vëmendje ndaj detajit që në përgjithësi aplikohet vetëm për poezinë.

Joyce u përpoq të arrinte më afër asaj që ndodh në mendjet tona duke rafinuar teknika tradicionale në atë që asokohe u quajt monolog i brendshëm, një lloj lexim  mendimi i verbalizuar, me të gjitha rastësitë e subjektivitetit, frazat e hedhura rëndom, sfida ndaj rendit logjik apo ndaj strukturës gramtikore të fjalisë. Jo gjithçka që na kalon në mend është e denjë dhe kuptimplote.

Vlerësime

Të paktë janë vizionarët intuitivë e të ndjeshëm që mund të ‘kuptojnë’ "Uliksin" e James Joyce, pa një kurs trajnimi. Lexuesi inteligjent mund të kuptojë pak ose asgjë prej tij, por do e lexojë sepse ‘duhet’ me një ndjesi hutimi dhe përshtjellimi. [shpesh hasesh me ata që mendojnë se] Është e nevojshme që libri të shoqërohet me një manual ‘përdorimi’ në mënyrë që ndonjëri, mbase, mund të arrijë të marrë vesh ndonjë gjë nga ajo që autori ka dashur të thotë me një nga librat më të njohur në historinë e letërsisë botërore.

Që libri [ka një] mesazh[e], kjo është e pamohueshme. Autori përpiqet të tregojë botën e njerzve që ka takuar në dyzet vitet e ekzistencës së tij, të rrëfejë sjelljet e tyre, të analizojë qëllimet e ndikimin që ata kanë tek njëri-tjetri dhe për të lidhur efektin që kishte mbi të "bota", e ndyrë, e turbullt, e çrregullt, me atmosferën mefitike të shkaktuar nga alkooli dhe eklesiasticizmi dominues i vendit të tij, një kelt emocional, një gjeni egocentrik, devijimi kryesor dhe kënaqësia më e madhe e të cilit është vetvetja. -analiza dhe profesioni i rëndësishëm i të cilit gjatë gjithë jetës ka qenë mbajtja e një fletoreje në të cilën është regjistruar incidenti i hasur dhe fjalimi i dëgjuar me saktësi fotografike dhe besnikëri Boswelliane.

E përtej kësaj, ai është i vendosur ta tregojë këtë në një mënyrë të re. Jo në narrativën e zakonshme me fjali, fraza e paragrafë që tregojnë në mënyrë të kuptueshme e të vazhdueshme një ide, fakt apo ndodhi, por përmes prozës klasike të parodizuar, slang-ut të kohës, një prozë inkoherente me kast, perversione të letërsisë klasike, atë që vetëm një magjistar i gjuhës angleze mund ta bëjë.

Përkthimi i librit ka qënë një sipërmarrje e cila shkon nga kënaqësia drejt horrorit shumë shpejt (dhe shpesh). Është thuajse e pamundur që të mos Uliksifikohesh mbas leximit të tij në gjuhën origjinale e jo më, mbasi ke përkthyer më shumë se 700 faqe. Në shqip libri është përkthyer nga Idlir Azizi dhe botuar nga Zenit në 2009.

“Uliksi” është kontributi më i rëndësishëm që i është dhënë letërsisë artistike në shekullin e njëzetë. Ai përjetëson autorin e tij me të njëjtën siguri që "Gargantua dhe Pantagruel" përjetësuan Rabelais apo "Vëllezërit Karamazov" Dostojevskyn. Ka të ngjarë që sot të mos ketë njeri që të shkruajë anglisht që të mund të paralelizojë arritjen e z. Joyce. Ai e ka parë të arsyeshme të përdorë fjalë dhe fraza që e gjithë bota i përdor dhe njerëzit në tërësi, të kulturuar ose jo, të qytetëruar apo egër, besimtarë e paganë, kanë rënë dakord të mos përdoren dhe të cilat janë të ulëta, vulgare, të mbrapshta dhe të shthurura. Përgjigja e zotit Joyce për këtë është:

"Kjo racë, ky vend dhe kjo jetë më bënë mua ndaj do të shprehem ashtu siç jam".

Ajo që ndodh me veprën Joyce është ajo që ndodhte me pikturat e Pollock apo Piccassos të cilat do të duhet të kishin të njëjtin ndikim në brezat pasardhës sa veprat e Michelangelos, edhe pse për shkollarët e fillim shekullit të 19-të kjo tingëllonte absurde.

Mendimet e hedhura në letër prej tij janë të shkruara ashtu si vijnë, pa u përpjekur të vendosen në rradhë, apo ndërvarësi. Rradhët e Joyce duket të vijnë më shumë nga e pavetëdijshmja dhe nuk kërkojnë asgjë në shkëmbim. Si Frojdi ai pohon se mendja e pavetëdijshme përfaqëson njeriun e vërtetë, njeriun e natyrës, dhe mendja e vetëdijshme përfaqëson njeriun e artifikuar, njeriun e konvencionit, të përshtatshmërisë, skllavin e zonjës Grundy, sykofantin e kishës, kukullën plastike. të shoqërisë dhe shtetit. Në riprodhimi besnik i mendimeve të tij, materializuar në petkun e Leopold Bloom, z.Joyce e dinte fare mirë se çfarë po ndërmerrte dhe sa e papranueshme do të ishte përmbajtja e poshtër e asaj mendjeje të pavetëdijshme për nëntëdhjetë e nëntë burra nga njëqind, dhe sa të zemëruar do të ishin duke u hedhur në fytyrë produktin e neveritshëm.

"Thonë që as 10 burra ose gra nga 100 nuk e çojnë dot deri në fund Uliksin e Joyce"

Mospërfillja e tij për fenë, moralin konvencional formën apo stilin letrar e vë James Joyce në një kategori më vete. Ai nuk gjunjëzohet përpara fjalës, Zotit apo njeriut. Skemat dhe kornizimet janë për ata që nuk duan të kudrojnë veprën, por duan ta gjykojnë atë. Me siguri ky është nga ata libra që duhen lexuar njëherë, dhe të rrallë në mos të munguar janë ata që i kthehen librit dy herë, për qejf. Por Dr. Joseph Collins, thotë se ka mësuar më shumë për psikologjinë e psikiatrinë prej leximit të tij sesa në 10 vite punë në Institutin e Neorologjisë. Diçka duhet të ketë…