E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë përkthyesja Aida Baro. Ajo ka folur mbi librat që të ndryshojnë botëkuptimin. Ja cilat vepra i kanë bërë asaj më shumë përshtypje dhe që ia sugjeron dhe lexuesve të tjerë…
Muza e Haresë – Goliarda Sapienza
“Muza e haresë” është libri rebel dhe ‘skandaloz’ i një shkrimtareje të jashtëzakonshme. Është një roman aventure, një autobiografi e trilluar. Është një roman formimi, por edhe erotik, politik dhe sentimental.
Modesta është një grua siçiliane, “kock’e fortë”, me një gjallëri dhe pasion të pazakontë, thuajse imorale për rregullat e shoqërisë së asokohshme, tek e cila dëshirat epshore gërshetohen me zgjuarsinë. Ajo përshkon të gjitha tufanet historike dhe stuhitë sentimentale, e mbrojtur nga një hajmali e paepur e brendshme: muza e haresë. Modesta lind më 1 janar 1900 dhe qysh prej atij çasti veçse ndërton e formon vetveten, pjesë pas pjese, gabim pas gabimi, gëzim pas gëzimi. Ajo përjeton mbi kurrizin e vet të gjitha detyrimet e mundshme që i shtron jeta përpara, krejt shpërfillëse ndaj sjelljeve të kohës, ndaj gjykimit të njerëzve, ndaj zakoneve shoqërore, seksuale dhe fetare.
Historia e saj është ajo e një shpirti dhe e një trupi, krejtësisht të pazgjidhshëm nga njëri-tjetri, që përshkojnë shekullin XX, me vullnetin dhe ndërgjegjen për të qenë vetvetja, plotësisht dhe me çdo kusht, pa iu ndrojtur vetmisë, pikëllimit, keqkuptimeve, luftës dhe dhunës. Kryefjala e jetës së saj është liria. Mosbindja është virtyti i saj më i lartë.
Jeta shpirterore – Alberto Moravia
Dezideria, e bukur, e re dhe pamëshirshme është vajza e birësuar e Violës, një borgjezeje të pasur romane, por tërësisht të shthurur moralisht dhe seksualisht. Romani zhvillohet si një intervistë e gjatë, ku një personazh i quajtur “Unë”, që mund të interpretohet si gazetar, psikolog, shkrimtar, interviston Deziderian, duke e ngacmuar me pyetje në dukje të thjeshta mbi jetën e saj, por nga ana tjetër duke nxjerrë në pah rrënimin e vërtetë të vlerave shoqërore.
Vajza rrëfen historinë e jetës së saj që nga fëmijëria e hershme me një qartësi dhe sinqeritet të skajshëm, rebelimin e saj ndaj familjes, klasës dhe shoqërisë, së cilës i përket jo për shkak të lindjes. E shtyrë nga një Zë i brendshëm, nga shpirti i revoltës, i cili do t’i imponohet përmes një “plani për shkelje dhe përdhosje” të të gjitha të ashtuquajturave vlera borgjeze, ajo nuk ngurron të ndërmarrë hapa të guximshëm që do ta shpien drejt prostitucionit, orgjisë, komplotit të rrëmbimit, grabitjes dhe incestit. Dezideria magjepset nga ideja e revolucionit, por jo thjesht nga ajo e një revolucioni të ngushtë politik, por diçka që do të fshijë hipokrizinë e rendit shoqëror ekzistues.
I botuar më 1978, “Jeta shpirtërore” ngjalli reagime të shumta negative te kritika italiane e asaj kohe. Shoqërimi i saj me prostituta, tutorë dhe zhigolo të klasës së mesme, që maskohen si revolucionarë, zhytur në afera seksiste e kthejnë në një lloj udhëtimi ekzistencialist e madje nihilist gjithë jetën e saj.
Të mbyturit dhe të shpëtuarit – Primo Levi
Në tetë kapituj, Primo Levi i rikthehet përvojës së Lager-it nazist për ta analizuar jo si një fakt të kryer tashmë, një ngjarje të paparashikueshme e të kufizuar, domethënë si një aksident të historisë, por si një ngjarje shembullore përmes së cilës mund të kuptojmë deri ku mund të arrijë njeriu në rolin e xhelatit dhe në atë të viktimës. Në librin “Të mbyturit dhe të shpëtuarit“, Levi, me një ekuilibër dhe kthjelltësi të jashtëzakonshme, u përgjigjet pyetjeve që përballen me problematikat e sotme, por edhe u flasin brezave të ardhshëm, për të cilët parabola naziste sa vjen e bëhet më e largët. Cilat janë strukturat hierarkike të një sistemi autoritar dhe çfarë teknikash përdorin për të asgjësuar personalitetin e një individi? Çfarë raporti krijohet mes dhunuesve dhe të dhunuarve? Cilat janë qeniet që enden në “zonën gri” të bashkëpunimit? Si formohet një përbindësh? A ishte e mundur të kuptohej nga brenda logjika e makinerisë së shfarosjes? Kishte gjasa që të ngrije krye ndaj saj? Dhe sërish: si funksionon kujtesa gjatë një përvoje kaq të skajshme?