Sport

Liga e Kombeve, sonte përballja e Shqipërisë me Ukrainën!

Mbrëmjen e sotme, Shqipëria luan takimin e parë të vlefshëm për Ligën e Kombeve ndaj Ukrainës, në ora 20:45 në stadiumin “Epet Arena” në kryeqytetin çek Pragë.  Në prag të kësaj sfide të rëndësishme për kuqezinjtë, të cilët duan ta nisin sa më mirë këtë edicion, trajneri Silvinjo dhe mesfushori Ylber Ramadani dolën pasditen e djeshme në konferencën zyrtare për media.

Tekniku brazilian u shpreh se objektivi kryesor i ekipit në këtë ndeshje është që të marrë një rezultat pozitiv e të luajë njësoj si në kualifikueset e Europianit, me shpirt e zemër në fushë. Ndër të tjera, vlerësoi Ukrainën si skuadër shumë të fortë e me lojtarë cilësorë.

Kur flasim për Ukrainën, flasim për grupin, një grup shumë i vështirë, me të katër ekipet që bënë një Europian të mirë. Jemi në një grup të vështirë në Nations League. Trajneri i Ukrainës është shumë i zoti, e organizon mirë skuadrën, ka lojtarë shumë të mirë, janë Sudakov, Mudryk, etj. Janë teknikë, shumë fizikë e të organizuar. Kanë bërë një Europian të mirë. Grupi ynë është shumë i vështirë. Ukrainën duhet ta përballojmë fizikisht, pasi është skuadër e vështirë dhe shumë teknike.

Mungesat 

Në kombëtare ndodh. Kam parë dhe ekipe të tjera që kanë humbur shumë lojtarë. Eshtë moment i vështirë pas Europianit. Lojtarët nuk kanë patur mundësi për pushime. Por duhet të punojmë në këtë situatë. Edhe në Varshavë kemi patur një situatë të ngjashme, por është momenti i duhur, mundësi e mirë për lojtarët e tjerë për të qenë pjesë e formacionit.

Strategjia 

Eshtë e vështirë të parashikosh se si do të shkojë ndeshja, por kjo do të jetë një sfidë shumë teknike, Ukraina bën tranzicion të shpejtë dhe qendrën e kanë shumë të fortë. Unë kam besim se do të shohim një lojë të fortë pasi edhe Ukraina është e fortë e shumë e ekuilibruar. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.

Arbër Hoxha titullar? 

Të gjithë lojtarët janë gati, kjo është ajo që duam. Do të shohim. Ende nuk ka nisur Hoxha një ndeshje nga minuta e parë. E kemi patur që në mars, rrugëtimi është i tillë në Kombëtare, hap pas hapi. Eshtë shumë i rëndësishëm në skuadër. Do të shohim.