Aktualitet

Ligji antimafia, PD do të prezantojë nene kundër oligarkisë!

Javën e ardhshme do të përparojmë me projektligjin e formuluar prej kohësh, për të përfshirë në kuadrin ligjor antimafia, edhe nene kundër oligarkisë.

Kjo u deklarua nga Lulzim Basha, i cili u pyet sot nga gazetarët nëse Partia Demokratike që drejton është gati për zgjedhje të pjesshme lokale? Kryetari u shpreh se presin vendimet dhe zbardhjen e tyre.

Nuk ka diskutim që atentati antidemokratik i 30 qershorit është pjesë e skemës së shkatërrimit të demokracisë nga regjimi në fuqi. Objektiv kryesor i Partisë Demokratike është të rikthejë Shqipërinë në një vend demokratik nga një regjim autokratik, në të cilin është kthyer, nën sundimin e Edi Ramës.

Po ashtu, Basha iu përgjigj edhe pyetjes nëse zgjedhjet në Forumin Rinor të Partisë Demokratike po zhvillohen vetëm sepse kryetari Belind Këlliçi do të marrë pjesë në “Foltoren” e Berishës?

Jo s’është fare e vërtetë. Kjo është një sajesë e fabrikuar për interesa personale. Për herë të parë nën drejtimin tim, Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka zhvilluar zgjedhje, madje zgjedhje “Një anëtar, një votë” për kryetarin, si dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese. Për fat të keq, prej dy vitesh, mandati i forumeve drejtuese dhe i kryetarit ka skaduar. Në përputhje me normat demokratike, përsëri me “Një anëtar, një votë”, të rinjtë e të rejat demokrate do zgjedhin përfaqësuesit e tyre, përfshirë kryetarin e ri.

Ne kemi shumë sfida përpara, por asgjë nuk mund të pengojë Partinë Demokratike, që të zbatojë normat statutore të demokracisë dhe aq më pak, interesat personale të pengojnë funksionimin e parimeve të tilla siç është zgjedhja “Një anëtar, një votë”, një risi për të cilën Partia Demokratike është ballëlartë dhe unë si kryetar i saj, jam krenar.

Eshtë i njëjti proces i ndjekur edhe në 2014-ën, kur për herë të parë është ndjekur parimi “Një anëtar, një votë”.

Pasi shpalli zgjedhjet për kryetarin e ri të FRPD-së, Forumit Rinor të Partisë Demokratike, sot Basha thirri në një takim grupin e punës që kryesohet nga Oriela Nebijaj. Aktualisht, posti i kreut të FRPD-së mbahet nga Belind Këlliçi, i cili refuzon të njohë vendimin e Bashës, duke e konsideruar “nul”. Sipas tij, “nuk është kompetencë e kryetarit të PD-së, të shpallë zgjedhjet”.

Në një reagim për situatën me FRPD-në, ish-kandidati për kryetar i Selisë Blu, Fatbardh Kadilli, tha se “Forumi nuk mund të kthehet në levë të partisë”. Kadilli kërkon që të rinjtë demokratë ta refuzojnë atë që e cilëson “sjellje prej padroni të Bashës”, por shton se “nuk duhet ta kërkojnë shpëtimin as te një tjetër padron”, referuar ish-kryetarit Berisha. Vendimin e fundit të Bashës për zgjedhjet për Forumin Rinor, Grupi për PD-në e cilëson “dhunim të statutit të partisë”. Përfaqësuesja Edith Harxhi e akuzon kryetarin se qëllimshëm, vazhdon çdo ditë rrënimin e selisë blu. “Ka të njëjtin instruktor dhe padron si Rama, Vuçiç e Zaev”, – u shpreh Harxhi ndërsa shtoi se Partia Demokratike është aset kombëtar dhe si i tillë, parim kryesor duhet të ketë çështjen kombëtare.

Edhe Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë do të hyjë në një proces zgjedhor. Kryetari Basha udhëzoi zhvillimin e zgjedhjeve për kryetaren e LDGSH-së, post i cili mbahet me emërim prej vitit 2012, si dhe të organeve të tjera drejtuese të Lidhjes së Gruas. Votimi do të bëhet sipas parimit: “Një anëtar, një votë”. Eshtë hera e parë që anëtareve të Forumit të Gruas iu njihet e drejta për të zgjedhur drejtuesen e tyre, me votë direkte.