Aktualitet

Ligji i koncesioneve do të ndryshojë/Merren parasysh propozimet e opozitës!

Qeveria shqiptare do të ndryshojë ligjin për koncesionet dhe kontratat PPP. Në Komisionin kuvendor të Ekonomisë, përfaqësuesit e Financave deklaruan se drafti me ndryshimet po punohet edhe me konsulencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN dhe do të mbërrijë në Kuvend në pjesën e dytë të vitit. Zv.ministrja Vasilika Vjero:

Në fakt në të gjitha raportet teknike, edhe të viteve të fundit, FMN ka kërkuar integrimin e PPP-ve me kornizën e përgjithshme të investimeve publike e buxhetore. Kemi parashikuar që propozimi për ndryshimet ligjore të vijë në Kuvend në 6-mujorin e dytë të vitit dhe me parashikimin për t’u miratuar në fund të këtij viti.

Sipas tyre, ligji do të marrë parasysh edhe propozimet e deputetes demokrate Jorida Tabaku për kontrollin e kontratave koncesionare që u diskutuan sot në komision. Nisma u mirëprit edhe nga deputetët e maxhorancës, ndërsa Tabaku këmbënguli se ndryshimet janë urgjente.

Sot, kompanitë koncesionare kanë normën më të lartë të fitimit. Eshtë biznes më i mirë të mos kesh gjë, të vish me duar në xhepa e të marrësh një kontratë koncesioni. Unë besoj se nuk duhet ta lejojmë më këtë situatë që të ndodhë.

Deputeti socialist, Erion Braçe:

Drafti që ju keni sjellë, në synim të transparencës e disa rregullave të tjera qëndron. Ajo që mua më intereson në këtë rast është transparenca. Unë mendoj që duhet të jetë shumë më tepër. Nuk ka kontratë koncesioni pa treguar pronarin përfitues deri në fund fare.

Kryetari socialist i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi:

Propozimet tuaja iu bënë të njohura ministrisë, e cila do t’i përfshijë te pjesa e shqyrtimit për t’i ndryshuar.

Propozimet e deputetes Tabaku kanë të bëjnë me katër ndryshime kryesore që synojnë zgjidhjen e problematikave që hasen në kontratat koncesionare, që përfshijnë rritjen e transparencës, rritjen e përgjegjësisë personale, forcimin e kontrollit të raporteve financiare të kompanive, si dhe atë të luftës kundër pastrimit të parave.