Bota

Ligji kundër organizatave të huaja, merr “OK” e Presidentit të Rusisë!

Presidenti rus, Vladimir Putin firmosi ligjin, përmes të cilit penalizohet pjesëmarrja në aktivitetet e organizatave jo-qeveritare të huaja, të cilat Rusia i shpall të “të padëshirueshme”. Fillimisht, ligji mori dritën jeshile të Dhomës së Ulët e asaj të Lartë të Parlamentit. Ky ligj parashikon dënime deri në gjashtë vjet burg për qytetarët që shpallen fajtorë për organizimin e aktiviteteve të organizatave ndërkombëtare “të padëshirueshme” në territorin rus.

Ligji do të vlejë edhe për qytetarët dhe entitetet ruse të vendosura në çdo vend të botës, të cilëve iu ndalohet të marrin pjesë në aktivitetet e organizatave të huaja jo-qeveritare të shpallura “të padëshirueshme” në Rusi.

Individët që marrin pjesë në aktivitetet e të tilla organizatave mund të dënohen deri në katër vjet burg ndërsa dënimi për mbledhjen e fondeve për grupe të tilla do të jetë deri në pesë vjet heqje lirie.

Ndërkaq, personat që vullnetarisht ndërpresin bashkëpunimin me organizatat “non grata” ose ndihmojnë në mbylljen e të tilla organizatave, nuk do të përballen me padi penale.

Ligji krijon mundësinë e gjurmimit të transfertave të parave në disa vende. Lista e tyre do të përcaktohet përmes një marrëveshjeje me Bankën Qendrore. Procesin do ta bëjë Rosfinmonitoring, mekanizmi që monitoron dhe lufton pastrimin e parave në Rusi.

Vitet e fundit, Kremlini ka ndërmarrë një sërë masash që kanë kufizuar veprimtarinë e organizatave jo-fitimprurëse dhe jo-qeveritare që janë financuar nga burime të huaja, kryesisht nga Europa e Shtetet e Bashkuara.