Aktualitet

Ligji “Për Bashkëqeverisjen”, presidenti Meta ia kthen Kuvendit!

Presidenti Ilir Meta ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për Bashkëqeverisjen”, me pretendimin se shkel Kushtetutën dhe autonominë e pushtetit vendor. Po ashtu, sipas Metës ligji krijon institucione paralele dhe mbivendosje kompetencash ndërmjet tyre duke shkelur sigurinë juridike, centralizon më shumë pushtet tek një institucion në varësi direkte nga Kryeministri, bie ndesh me Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, si dhe bie ndesh me parimet e funksionimit të administratës shtetërore, të sanksionuara në kode e ligje të tjera.

Nga shqyrtimi i parashikimeve të këtij ligji, në raport dhe me atë që deklarohet se synohet të arrihet, vërehet se ka një mospërputhje të parashikimeve të tij, jo vetëm me kuadrin ligjor në fuqi, por edhe vetë mënyra se si është konceptuar funksionimi, organizimi dhe kompetencat e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, vetëm sa shtojnë dhe rëndojnë burokracinë e administratës shtetërore, në cenim të hierarkisë së normave të zbatueshme, duke krijuar konfuzion mbi organet që mund dhe duhet të ushtrojnë autoritetin kontrollues ndaj veprimtarisë së organeve të tjera të administratës dhe duke lënë apo krijuar kështu hapësira për presion ndaj administratës shtetërore në përmbushjen e funksioneve sipas ligjit.

Krijimi i një Agjencie të re në varësi të Kryeministrit, që sipas ligjit nr. 107/2021 do të ketë si kompetencë edhe negocimin midis qytetarëve dhe organet shtetërore që janë po në varësi të tij, nuk përputhet as me misionin, rolin, parimet, detyrat dhe përgjegjësitë që ka në themel të saj funksionimi i administratës shtetërore, si dhe funksionin e monitorimit të cilësisë së ofrimit të shërbimeve dhe zbatimit të ligjit prej saj.

Në përfundim të argumentimit, presidenti Meta shprehet:

Në bindje të Kushtetutës, në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 107/2021 “Për bashkëqeverisjen”, duke i bërë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të rishikojë në tërësi këtë ligj, sepse në formën dhe përmbajtjen e miratuar ky ligj nuk mund të bëhet pjesë e kuadrit të brendshëm legjislativ.