Aktualitet

Ligji “Për të huajt” i rikthehet Kuvendit, Meta nuk e dekreton e jep arsyet!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për të huajt”.

Meta shprehet:

Shqipëria rrezikon të përballet me fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta. Fluksi i tyre është përtej mundësive dhe kapaciteteve që Shqipëria ka, mund të ofrojë e përballojë.

Në arsyetimin e tij, Kryetari i Shtetit shtron pyetjen:

Nëse Shqipëria nuk po ofron mundësi punësimi, mirëqënie, stabilitet, siguri dhe garanci për shtetasit e saj, si do të mundet të ofrojë mundësi për të huajt në një masë të gjerë?

Sipas Metës, “masa kaq gjerësisht pranimi të shtetasve të huaj, përmes kritereve të lehtësuara mund të ndërmerren vetëm pasi të analizohen pasojat e një politike të tillë shtetërore”.

Presidenti pretendon se “Qeveria po përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afatshkurtër: plotësimin e boshllëqeve që po krijon largimi masiv i shtetasve shqiptarë me të huaj, duke u fokusuar më shumë tek fuqia punëtore”.

Shpopullimi është drama më e madhe që po i ndodh vendit. Largimi i trurit, i forcave të reja dhe më krijuese është një plagë e madhe për vendin, që duhet ndalur sa më parë! Mbyllja e perspektivës për të rinjtë është rrënja e shpopullimit të Shqipërisë.

Adresimin e menjëhershëm të fenomenit e cilëson “emergjencë” dhe paralajmëron se “çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike”. Meta akuzon shumicën qeverisëse se “nuk ka strategji shtetërore si duhet t’i përgjigjet fenomenit të rrezikshëm, me masa konkrete, afatshkurtra, afatmesme e afatgjata.