Bota

Ligjvënësit amerikanë mbështesin krijimin e një gjykate për krimet Rusisë në Ukrainë!

Ligjvënësit amerikanë shprehën mbështetje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare të ndarë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), për të gjykuar krimet e agresionit gjatë luftës në Ukrainë që vijon prej shkurtit të vitit të kaluar. Si presidenti francez, Emmanuel Macron, ashtu edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kanë bërë thirrje për krijimin e një gjykate të tillë të pavarur ndërkombëtare.

Senatorë të SHBA-ve dhe diplomatja e lartë amerikane për drejtësinë penale globale, Beth Van Schaack, diskutuan përpjekjet aktuale të Uashingtonit për ta bërë gjykatën realitet, që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet dhe agresionin ndaj Ukrainës. Ky diskutim u mbajt gjatë një seance dëgjimore të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit Amerikan.

Nëse krijohet, kjo gjykatë do të merrej me krimet e agresionit dhe jo ato kundër njerëzimit e që aktualisht ndiqen penalisht nga ICC.

Van Schaack theksoi ndikimin e madh që do të kishte ky institucion, duke deklaruar:

Këto përpjekje do të çonin në gjyqin më të rëndësishëm në histori, që nga Nurembergu.

Zyrtarja iu referua gjyqeve të krimeve të luftës, të mbajtura pas Luftës së Dytë Botërore e që rezultuan me dënime për shumë kriminelë nazistë të luftës.

Van Schaack detajoi edhe ndikimet në botë, duke thënë se një gjykatë ndërkombëtare për krimet e agresionit, ka të ngjarë të përfshijë Bjellorusinë për ndihmën në aktet e agresionit rus. Për më tepër, duke i parë në mënyrë specifike krimet e agresionit, diplomatja tha se “gjykata mund të ndjekë penalisht agresionin rus që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në vitin 2014”.

Departamenti amerikan i Shtetit shpreson edhe që krijimi i një gjykate kundër agresionit do të dërgonte një mesazh ndërkombëtar kundër “shkeljeve të ngjashme flagrante të sovranitetit shtetëror”.

Për shkak se propozimi aktual bazohet në gjykatat ukrainase, komiteti ra dakord se do të duhet të ketë një mbikëqyrje të konsiderueshme dhe asistencë kapacitetesh nga partnerët ndërkombëtarë. Të gjithë anëtarët e komitetit pohuan përkushtimin e tyre ndaj llogaridhënies ruse, me një senator që tha se “mosndëshkimi nuk është opsion”.