Aktualitet

Lihet në burg kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri/Apeli ndryshon masën për Kokaveshin!

Apeli i GJKKO-së, Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lë në fuqi masën e arrestit me burg për Fredi Belerin, i prangosur prej 12 majit me akuzën e blerjes së votave në Himarë për zgjedhjet vendore. Të zgjedhurit më 14 Maj si kryetar i Bashkisë Himarë pasi kandidoi për Koalicionin “Bashkë Fitojmë” të sali Berishës e Ilir Metës, Apeli i rrëzoi kërkesën për masë më të lehtë sigurie.

Për personin e akuzuar si “bashkëpunëtori” i tij në blerjen e votave, Pandeli Kokaveshi, Apeli i GJKKO-së caktoi “Detyrim për paraqitje”, për shkak të problemeve shëndetësore.

Asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme e cila zgjati rreth dy orë. Përmes avokatit të tij, Edmond Demo, Beleri kërkoi lirim nga burgu dhe ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”, të vendosur nga GJKKO, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të SPAK-ut. Apel bëri edhe Pandeli Kokaveshi, i cili pas arrestimit, u shtrua në spital.

Hetimi ndaj Fredi Belerit u krye pas një referimi të policisë në datën 8 maj 2023 e që angazhoi prokurorinë mbi dyshimet lidhur me shitblerje të votës.

Më pas, thotë prokuroria, një qytetar ofroi bashkëpunimin me drejtësinë, duke ekspozuar Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin, të cilët dyshohet se paguan para’, në shkëmbim të votës.

Pagesa u krye në një lokal dhe autoritetet theksojnë që disponojnë përgjime ambjentale të kryera nga një grup operacional i dërguar nga Tirana.

Ndërkohë, çështja është ndjekur me interes nga Athina zyrtare. Ministri i Jashtëm i qeverisë së përkohshme të Greqisë, Vassilis Kaskarelis, në kuadër të një takimi  jozyrtar të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Oslo të Norvegjisë ka planifikuar të takohet me homologen, ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, për të diskutuar mbi lirimin e Fredi Belerit. Vazhdimisht, Greqia kërkon që ai të lihet i lirë.