Bota Health & Beauty

Lindi sa një mollë, lë spitalin vajza më e vogël në botë!

Kur lindi, peshonte vetëm 212 gramë, gati sa një mollë dhe ishte vetëm 24 centimetra e gjatë. Por tani Kwek Yu Xuan vajza më e vogël në botë, e lindur në javën e 25-të të shtatëzanisë është mirë dhe doli nga spitali National University Hospital (Nuh) i Singaporit pas trajtimit 13-mujor e tani peshon 6.3 kile.

Kwek Yu Xuan lindi me operacion, 4 muaj parakohe pasi nëna e saj u diagnostikua me tension shumë të lartë çka rrezikonte organet jetësore të fëmijës, si dhe të ishte fatal si për të, ashtu edhe nënën.

Në National University Hospital të Singaporit, mjekët dhanë pak shpresa, por tani pranojnë se përtej çdo parashikimi e pavarësisht komplikimeve shëndetësore, vajza e vogël mbijetoi e po kthehet në burim frymtëzimi e shprese për ata që lindin në periudhën e COVID-it.

Yu Xuan ende vuan nga probleme me mushkëritë e në shtëpi do të ketë nevojë për mjete mbështetëse që të marrë frymë dhe përmirësimi pritet të vazhdojë sipas mjekëve. Prindërit arritën t’i përballonin shpenzimet spitalore falë mbledhjes së fondeve përmes një fushate. Ata grumbulluan mbi 270 mijë dollarë, si dhe falenderuan mjekët që i trajtuan si një familje.

Nëna e vogëlushes do të vazhdojë të mbajë kontakte të ngushta me stafin mjekësor.

Para Kwek-ut, rekordin e fëmijës më të vogël në botë e mbante një amerikane e lindur në 2019-ën e që peshonte 245 gramë.