Aktualitet Sociale

Lindshmëria e ulët, Shqipëria “vrapon” drejt plakjes!

Vendi ynë po “rend” drejt plakjes me hapa të shpejtë. Statistikat zyrtare tregojnë se vit pas viti, në Shqipëri po përkeqësohen treguesit e lindshmërisë, në raport me Europën. Sipas një renditjeje që Eurostat publikoi për vitin 2021, ne ishim të katërtët në Europë, pas Maltës, Spanjës dhe Italisë me 1.31 fëmijë për grua. Me këtë normë lindshmërie, rezultojmë në vend të fundit në rajon. Po referuar Eurostat-it, normat më të larta të lindshmërisë në Europë i ka Franca, me 1.84 fëmijë për grua, e ndjekur nga Republika Çeke, Islanda dhe Rumania. Sociologu Gëzim Tushi:

Në uljen e lindshmërisë në vend, natyrisht që shkaqet lidhen me emancipimin e familjes, me rritjen e kulturës së grave, me vështirësitë ekonomike që sot kanë familjet për t’i rritur fëmijët. Po ashtu, me problemet që lidhen me punësimin, me mungesën e garancive për perspektivën e fëmijëve. Të gjitha këto kanë bërë që lindshmëria të rrudhet në këto nivele ku kemi rënë, pra 1.3 fëmijë për grua, nga 6 fëmijë për grua që kemi patur në vitet ‘60.

2.3 fëmijë për grua kemi patur në vitin 1990, 1.3 fëmijë për grua kemi sot, që do të thotë se numri i atyre që lindin me ata që vdesin është dispropocional. Popullsia po vazhdon të plaket. Unë mendoj që po të vazhdojmë me këto ritme, i bie që pastaj brezin e ri ta importojmë nga jashtë.

Që një popullsi të mund të frenojë rënien duhet që norma e lindshmërisë të jetë së paku 2.1 fëmijë për grua. Por, në Shqipëri përveçse ka rënie lindshmëria, numri i bebeve femra po bie më shpejt. Sociologu Gëzim Tushi shton:

Në vendin tonë, raporti është 100 femra me 109 meshkuj. Ky nuk është një çekuilibër natyror, ontologjik, por unë jam i mendimit që në vend ende vazhdon aborti selektiv. Kjo preferencë për të patur sa më shumë meshkuj në familje është një fenomen kriminal dhe i papranueshëm. Kjo do të thotë që mentaliteti maskilist është dominant te ne. Por, duhet të tregohemi shumë bujarë me femrat, sepse ato janë burim i jetës dhe për to, shoqëria ka po aq nevojë sa për meshkujt./Top Channel