Sport

Lionel Messi pritet në Paris për prezantimin te PSG!

Ende pritje për udhëtimin e Lionel Messit drejt Parisit ku duhej të shkonte që mbrëmë me një avion privat nga Barcelona. Qindra tifozë të PSG-së janë dyndur drejt aeroportit Le Bourget për të pritur asin argjentinas, i cili në pak orë do ta gjejë veten nga lotët “blaugrana” te jeta e re në Kullën Eiffel, për show-n e prezantimit.

Dyshimet sa vijnë e zbehen. Sipas gjasave, së shpejti, Messi do të jetë lojtar i PSG-së për të hedhur pas krahëve 21 vitet me Barçën. Për ndarjen e vështirë me klubin katalan nuk mjaftuan të qarat me dënesë.

Messi ka një tjetër mesazh dhe përshëndet miliona fansa “blaugrana” që ndjekin profilet e tij në rrjetet sociale.

Do të më pëlqente të largohesha në një mënyrë tjetër, edhe pse e di që një lamtumirë nuk është kurrë e këndshme … do të më pëlqente të qëndroja këtu, bëra gjithçka për atë qëllim, por për fat të keq nuk mund të ndodhte. Nuk gjej fjalët për të falenderuar të gjithë ata që më kanë shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve në Barcelonë. Tifozët tanë, të cilët më kanë dhënë gjithë dashurinë e tyre, të cilëve jam përpjekur t’ua kthej duke dhënë gjithçka për këtë fanellë. Unë po iki, por kjo nuk është lamtumirë. Rroftë Barça!!!

Për “Pleshtin”, Paris Saint-Germain ka menduar 35 milion euro në sezon, aq sa miku i tij Neymar e rreth dyfishi krahasuar me Kylian Mbappé. Mediat sportive e japin për të sigurtë finalizimin sot të detajeve të kontratës dhe në Paris, 34-vjeçari do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore, gjithnjë nëse nuk del ndonjë e papritur e pakëndshme.

Dje në ditën kur Lionel Messi u përlot në konferencën për shtyp pas zyrtarizimit të largimit nga Barcelona, klubi katalan fiton trofeun Gamper në sfidën kundër Juventusit, në Stadiumin “Johan Cruyff”.

Formacioni i drejtuar nga Ronald Koeman dominoi ndaj bardhezinjve të Allegrit, që edhe pse e nisën takimin me peshat e rënda si Ronaldo, Morata, de Ligt e Cuadrado, u duk qartë se nuk kishin ritmin e duhur të përballuar “blaugranat”. Ata ishin pa Messin por duartrokitjet e koret e tifozëve shkuan për të.