Aktualitet

Liqeni i Pogradecit rrezikon të dalë nga lista e UNESCO-s për shkak të ndotjes!

Liqeni i Ohrit, që afekton jetën e më shumë se 180 mijë banorëve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, kërcënohet nga tonelata mbetjesh të industrisë minerare dhe nga ujërat e zeza që derdhen në të. Efektet kanë filluar të ndihen dhe disa lloje peshqish janë drejt zhdukjes. Nëse këto probleme nuk marrin zgjidhje sipas orientimeve të UNESCO-s, atëherë liqeni i Ohrit rrezikon të dalë përfundimisht nga lista e pasurive botërore.

Misioni i fundit i ekspertëve dhe vëzhguesve të UNESCO-s, i cili pa nga afër situatën në të gjithë zonën e mbrojtur të Pogradecit, që përfshin një sipërfaqe prej 11.300 ha, la mbi tryezën e autoriteteve shqiptare 32 rekomandime. Zhvendosja e mineraleve apo mbetjeve të tyre, të depozituara prej vitesh në bregun e liqenit dhe në peizazhin e mbrojtur, trajtimi i ujërave të zeza, që derdhen në liqen, si dhe rehabilitimi i fushës së mbetjeve, u konsideruan emergjencë.

Edhe pse ky site i trashëgimisë natyrore dhe kulturore, veç statusit të UNESCO-s, gëzon edhe statuse të tjera mbrojtëse nga legjislacioni vendas, autoritetet, jo vetëm që nuk janë treguar të gatshme për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kjo mbrojtje e shumëfishtë, por janë neglizhente ndaj problematikave.

Industria minerare e ktheu në “tokë të djegur” zonën e mbrojtur

Pasi mbarimi i rezervave nëntokësore të mineralit, i cili vazhdon të ketë treg të sigurt në Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera të rajonit, i ka orientuar subjektet e shfrytëzimit drejt nxjerrjes së mineralit nga faqet e maleve, përmes asaj që minatorët e quajnë teknika me zbulim.

Zona e Gurit të Kuq

Çervenaka është një prej fshatrave buzë liqenit të Ohrit, ku është përqendruar një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit minerar të Pogradecit. Shirat e shumtë i shpëlajnë sterilet, duke i çuar në liqen dhe duke kontaminuar kështu të gjithë basenin ujor. Pasojat negative bien edhe mbi shëndetin e banorëve që jetojnë buzë liqenit, të cilët e përdorin ujin e tij për të vaditur, për të larë apo edhe konsumojnë sistematikisht peshkun e tij.

Mbetje të mineraleve në afërsi të bregut të liqenit

Sipas Bashkisë së Pogradecit, vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin dhjetë subjekte, të cilat shfrytëzojnë nëntokën dhe sipërfaqen për nxjerrjen e mineraleve të hekur-nikelit, kromit, qymyrit, si dhe mineraleve të tjera.

Këto subjekte përveç dëmit të shkaktuar në liqen përmes aktivitetit të tyre dhjetëvjeçar, në mënyrë sistematike nuk kanë respektuar as lejet mjedisore, çfarë është konstatuar edhe nga kontrollet e inspektorëve të Administratës së Zonave të Mbrojtura në Korçë. Ndërkohë që mbetet e pazgjidhur edhe problematika e subjekteve që e kanë mbyllur aktivitetin shfrytëzues, por mbetjet minerale ende nuk i kanë zhvendosur. Një nga rekomandimet emergjente, të adresuara nga UNESCO, është edhe mbyllja e dampës së Shllameve dhe rehabilitimi i sipërfaqes pas shfrytëzimit.

E shfrytëzuan, asnjë kompani nuk bën rehabilitim

Pavarësisht detyrimit ligjor shumica e subjekteve, që e kanë shfrytëzuar apo vazhdojnë të shfrytëzojnë nëntokën dhe sipërfaqen në zonën e mbrojtur të Pogradecit, nuk e kanë rehabilituar territorin që kanë marrë në përdorim sipas kontratës.

Peshku rrezikon të zhduket nga Ohri

Rreziku që i vjen liqenit nga mbetjet sterile ka dhënë efektet e para, duke arritur deri në zhdukjen e njërës prej specieve të peshkut të këtij liqeni.

Kërkesat e organizatës së trashëgimisë botërore për ruajtjen dhe menaxhimin e zonës së mbrojtur, duke hartuar dhe duke zbatuar strategji për reduktimin e ndotjes, janë të panegociueshme, konstatojnë ekspertët. Zvarritja apo neglizhenca për përmbushjen e tyre mund të sjellë penalitete për palën shqiptare, e cila kërkoi me këmbëngulje që liqeni i Pogradecit dhe zona rreth tij të merrnin statusin e UNESCO-s.

Shqipëria ka vetëm 2 vite kohë për të përmbushur një listë me 32 rekomandime të lëna nga UNESCO, por ruajtja e statusit të liqenit kërkon detyrimisht të njëjtin angazhim edhe nga pala maqedonase, konstatojnë ekspertët.

Kur na ndajnë më pak se dy muaj nga takimi i 1 shkurtit, nga sa konstatohet në terren, pala shqiptare ka mbetur ende në stadin e hartimit të strategjisë dhe duket qartë se do të ketë shumë pak material për të dorëzuar sa i takon zbatimit të rekomandimeve të UNESCO-s, ku prioritet mbeten problematikat mjedisore.