Aktualitet

Lirohen kontrollorët e Rinasit!

Kontrollorët e Aeroportit të Rinasit lirohen nga Gjykata e Apelit. Togat e zeza caktuan masën detyrim paraqitje për Armando Fezgen dhe Muhin Mezin që mbaheshin në burg ndërsa Flora Ndreca, nga arrest shtëpiak do të hetohet në gjendje të lirë.

Deklarimet e dhëna përpara oficerëve të policisë gjyqësore provuan se Fezga, Ndreca dhe Mezini kanë ndikuar tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë në punë. Kjo shkaktoi pasoja me mbylljen e kullës dhe aeroportit të Rinasit.

Flora Ndreca, rezultonte se ka kërcënuar një prej kontrollorëve të Rinasit, Kujtim Malkon duke i thënë që ai nuk është burrë që nuk i bashkohet grevës së tyre dhe nuk plotëson formularin e paaftësisë në punë. Malko e ka kundërshtuar dhe në debat e sipër i ka thënë Ndrecës të zbresë nga kulla ose përndryshe do ta hedhë.

Në një tjetër mesazh, në date 7 prill, Ndreca i shkruan shtetases Jona Kotoni se kulla është blozë dhe se i kanë bërë lavazh Kujtimit pasi ai nuk ka pranuar paaftësinë e përkohshme në punë nga frika por që në fund e kanë bindur.

Në mesazhet e grupit të whatsappit mes tyre ka pasur edhe urdhër për mbylljen e kullës së kontrollit të trafikut ajror.