Aktualitet

Lirohet Tire Alldervishi, ish-sanitarja e Spitalit COVID-2!

Lirohet nga burgu Tire Alldervishi, ish-sanitarja e Spitalit “Shefqet Ndroqi” të njohur si COVID-2, e cila u arrestua pesë muaj më parë për korrupsion. Gjykata e Tiranës i caktoi “Arrest shtëpie”. Alldervishi u prangos në janar pas denoncimit të vajzës së një pacienteje të shtruar me COVID-19, të cilës i kishte marrë 8 milionë lekë duke u prezantuar si infermiere.

Fatkeqësisht gruaja ndërroi jetë dhe rezultoi se pavarësisht parave ishte trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Të dyshuarat si bashkëpunëtore të Tires e kanë fituar më herët lirinë në Apel. Eshtë fjala për infermieret Sheqerije Koçi, Mira Bushi e Sidorela Kola, si dhe sanitaren Rukie Hoxha.

Përveçse skandal, rasti i Tires u identifikua si një fenomen e për të reagoi edhe kryeministri Rama, i cili në një prej takimeve të tij të pak kohëve më parë, shprehej:

Ne kemi një trup infermierësh e mjekësh që është realisht për t’u respektuar dhe ka një hendek të madh midis realitetit të punës, mundit e sakrificave dhe perceptimit që ushqehet në mënyrë të konsiderueshme nga eksperiencat e këqija të së shkuarës edhe nga fakti që shumëkush për fat të mirë nuk ka patur nevojë të shkojë në spital e të marrë shërbime apo ka eksperienca të të tjerëve për kohë të tjera kur spitalet ishin në gjendje katastrofike.

Por ushqehet edhe nga raste që janë të neveritshme si i i sanitares në “Shefqet Ndroqi” por edhe siç mund të ketë raste të tjera por nuk mund ta rrëzojnë investimin kolosal të mjekëve dhe infermierëve e posaçërisht në këtë periudhë të jashtëzakonshme për sistemin shëndetësor të gjithë botës kështu që njohje dhe respekt për këtë!